Lajme Shqip Thursday, 06 August 2015 13:24

Policia e Kosovës çdo ditë raporton për aksidentet e komunikacionit, prej të cilave të shpeshta janë rastet edhe kur persona e përfshirë në këto aksidente mbesin të vdekur.

Raste të tilla që kanë rezultuar me fatalitet kanë ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme ( e mërkurë) me ç’rast kanë humbur jetën dy persona në lokacione të ndryshme. Një fëmijë i moshës 6 vjeçare si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në Brezhnicë të Obiliqit, ka ndërruar jetë, përderisa rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Gjakovë, ku viktima ishte përsëri këmbësor.

Mirëpo, edhe pse raste të tilla janë duke u raportuar pothuajse çdo ditë nga raporti 24 orësh i policisë, disa statistika të këtyre të fundit tregojnë një rënie të rasteve me aksidente fatale, raporton lajmi.net

Vetëm në shtatë mujorin e këtij viti, janar- korrik, bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, janë shënuar 51 aksidente me fatalitet. Krahasuar me vitin e kaluar, po ashtu në shtatë mujorin janar-korrik 2014, janë raportuar 63 raste me fatalitet, numër ky që tregon se ka rënie të këtyre rasteve për 19.05 për qind, pra 12 raste më pak.

Në një apel nga Policia e Kosovës thuhet që qytetarët duhet t’i respektojnë shenjat e komunikacionit dhe ta përshtatin shpejtësinë e drejtimit të automjeteve në mynërë që të shmangin aksidentet.

Sipas njoftimit policia mbetet e përkushtuar në marrjen e veprimeve policore për ta rritur nivelin e sigurisë në komunikacion.