Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 16:00

Wellington – Njëmbëdhjetë persona kanë vdekur në një aksident me balonë ajri, pranë qytetit të Karterton në Zelandën e Re.

Policia dhe dëshmitarët thonë se balona goditi linjat e energjisë elektrike dhe mori flakë përpara se të binte në tokë. Incidenti ndodhi në rajonin Uairarapa, rreth 80 km në veri të kryeqytetit Wellington, një zonë që është e popullarizuar me njerëz që merren me këtë hobi.

Në bord ndodheshin pesë çifte nga zona e Wellington, si dhe piloti. Asnjëri prej tyre nuk mbijetoi. Aksidenti ka ndodhur në një tokë bujqësore në Klareville, në veri të Zelandës së Re.

Dëshmitari okular, Bevan Lambess, i cili ishte duke ecur me makinë, u tha agjencive se: “shporta mbajtëse ishte në zjarr dhe pashë diçka që e mbante atë, dukeshin si litarë, por kur u afrova ato në të vërtetë ishin kabulli i shtyllave të energjisë elektrike. Më pas e gjithë shporta shpërtheu në flakë”.

Incidenti është fatkeqësia më e madhe  ajrore në Zelandën e Re që nga viti 1979, kur një avion nga Zelanda e Re u rrëzua në malin Erebus në Antarktidë, duke vrarë të 257 pasagjerët që ndodheshin në bord.