Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 09:45

Është mbajtur këtë të diel ceremonia e ndarjes së çmimeve BET Awards ku u vlerësuan talentet e momentit në industrinë e muzikës botërore, aty ku artistët me ngjyrë i kushtuan një minutazh homazhe artistes tragjike, Whitney Houston.

Ceremonia e përvitshme “BET Awards” nderon të famshmit me ngjyrë, ndër ta muzikantë, aktorë dhe atletë në 20 kategori të ndryshme në një spektakël që zgjati 3 orë e gjysmë.

Çmimet më të rëndësishme të kësaj ceremonie i rrëmbeu këngëtarja e rikthyer Beyonce pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë dhe këngëtari Chris Brown i cili u nderua me trofeun best male R&B, çmim të cilin e merr për të dytin vit me radhë. Ndërsa Beyonce u cilësua si artistja më e mirë femër e vitit e zhanrit R&B, një trofe që për të ishte tepër i rëndësishëm në një moment si ky, kur i duhet të rikthehet me shumë forcë në tregun e muzikës pas një pauze mëse 1 vjeçare.

Ndërkaq Kanye West dhe Jay-Z pranuan trofeun e grupit më të mirë për “The Throne”, bashkëpunim i albumit më të fundit “Watch The Throne”. Ata fituan gjithashtu edhe trofeun e videos më të mirë të vitit për “Otis” duke mposhtur të nominuarit në këtë kategori, Beyonce dhe Usher.

Ceremonia “BET Awards 2012″ u moderua nga aktori Samuel L. Jackson dhe për të pranishmit në sallë e për ata që mundën ta përcjellin nga ekrani dhuroi shumë emocione dhe performanca të jashtëzakonshme të artistëve më të mirë me ngjyrë të momentit në botë.