Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 16:44

Berlusconi i vdekur, “ëndrra e të gjithë italianëve”, por fatmirësisht (apo fatkeqësisht) bëhet fjalë vetëm për një vepër arti e ndërtuar në silikon dhe e ekspozuar pak metra lart pallatit Chigi në Romë.

Sytë e mbyllur, një buzëqeshje e ngrirë në fytyrë e me kokën të mbështetur në një jastëk. Ndoshta ish-kryeministri italian e ëndërronte ngritjen e një monumenti për të, por sigurisht jo në këtë formë.

Vepra e realizuar nga Antonio Garullo dhe Mario Ottocento (çift artistësh homoseksualë të martuar në Amsterdam në vitin 2002) është pagëzuar prej tyre me emrin “Ëndrra e italianëve”, (Il sogno degli italiani) dhe jo pa shkak. Titulli është shqiptuar nga vetë Berlusconi gjatë një bisede telefonike pas zbardhjes së tabulateve gjatë hetimit të skandalit për festat e çmendura të organizuara prej tij me vajza të reja. Gjatë një telefonate vetë “Kavalieri” thotë: “vdekja ime është ëndrra e italianëve”.

Berlusconi në silikon qëndron i shtrirë brenda një vetrate prej xhami si të ishte një Papë, një shenjtor, apo bukuroshja e fjetur e përrallës.

“Menduam të konservonim Berlusconi-n nisur nga tradita kristiane që bën të njëjtën gjë me shenjtorët e saj. Por ekziston edhe argumenti laik, ku popujt përjetësojnë trupat e udhëheqësve apo heronjve të tyre, si balsamosja e Maos në Kinë apo Leninit në Rusi”, shkruajnë dy autorët në përshkrimin e veprës së tyre.

Vepra do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 maj. Kushedi, ndoshta Berlusconi vetë vendos ta vizitojë, por nisur nga sondazhet e fundit elektorale në vendin fqinj, që tregojnë partinë e tij PDL në rënie të lirë, me shumë mundësi kjo vizitë s’ka për të ndodhur…