Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 09:16

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, në mbrëmje se, “fletët e kontestuara janë vota të panumëruara, që duhet të numërohen”.

I ftuar në emisionin ‘Opinion”, në Tv Klan, Kryeministri Berisha tha se “me Kodin Zgjedhor, KQZ-së i është dhënë atributi i Komisionit Zonal të Tiranës dhe me rivlerësimin e votave që gjenden në kutitë e gabuara, KQZ po ushtron rolin e një komisioni zonal”.

Kryeministri theksoi se “nuk ekziston asnjë nen në Kodin Zgjedhor, që e autorizon KQZ-në të shpallë rezultat paraprak, por teknologjia e numërimit të votës online e bën de facto të qartë rezultatin paraprak”.

“Edi Rama rezultonte me 10 vota para, por ai nuk duhej të ishte vetëshpallur fitues. Aktualisht, Lulzim Basha është me 35 vota para dhe unë nuk e them dot, nëse është fitues, pasi janë për t’u numëruar edhe dhjetra vota të panumëruara, janë për t’u rivlerësuar mbi 300 vota të kontestuara”, tha Berisha.

Votat e kontestuara, sipas tij, janë detyrim ligjor absolut për rishqyrtim.

“Unë do të kisha dashur rinumërimin nga fillimi të votave në momentin e këtij rezultati kaq të ngushtë, por këtë nuk e lejon ligji shqiptar. Ka sisteme të tjera në botë, që në një rast të tillë votat rinumërohen automatikisht, por Kodi Elektoral shqiptar nuk e parashikon këtë”, tha më tej Berisha.

Kryeministri theksoi se Edi Rama po bënë përpjekje totalisht të pabazuar në ligj, për të shpallur një rezultat paraprak, si rezultat përfundimtar.

“Ne nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse po kërkojmë të numërohet çdo votë e panumëruar. Asnjë nen i Kodit Zgjedhor nuk i përcakton këto vota si të pavlefshme”, tha Berisha, duke i konsideruar këto vota si penalltitë që përcaktojnë fitoren.

Berisha ftoi Edi Ramën që çdo problematikë t’a ndjekë në rrugë ligjore, ndërsa theksoi se

gjithçka është objekt hetimi.

“KQZ duhet të punoj me përkushtim dhe duhet t’i krijohen të gjitha mundësitë për të kryer detyrën e tij, ashtu sikurse të institucioneve të tjera që të përmbushin detyrimet e veta”, tha Berisha.

Kryeministri e vlerësoi fitoren e koalicionit “Aleanca për qytetarin” të arritur nga votimet e 8 majit, “më të madhen të arritur në 20 vitet e fundit, edhe pse qeverisja është në vitin e 6-të të saj”, por edhe si një shenjë të besimit të politikave të qeverisë nga votuesit e saj.