Tiranë – Kryeministri Sali Berisha parashtroi sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, objektivat për vitin 2012, viti jubilar i 100 vjetorit të Pavarësisë.
Duke uruar një vit plot shëndet, gëzim, suksese dhe mbarësi si dhe duke shprehur një falenderim për punën që ka bërë administrata, Kryeministri theksoi se nisim këtë vit, vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më të qartë, më të vendosur, më optimistë, dhe më të sigurtë se kurrë.
“Siguroj qytetarët se do të bëj gjithçka për ta kthyer këtë vit në vitin e merituar të Shqipërisë, në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj”, u shpreh Berisha.
Berisha u ndal në rëndësinë që ka ky vit dhe nënvizoi angazhimin e qeverisë për t’i bërë shqiptarët të ndihen krenarë për vendin e tyre.
Sipas kreut të qeverisë, do të bëhet një përpjekje e madhe për një vështrim të qytetëruar të të gjitha zhvillimeve nga 1870-1912.
Kreu i qeverisë e vuri theksin tek të vërtetat historike të shqiptarëve. Duke dënuar krimet e bëra gjatë viteve të komunizmit, Berisha tha se shqiptarët kanë nevojë për një rivlerësim, duke shtuar, se të vërtetat duhen thënë në mënyrë të qytetëruar.
“Ky vit duhet të jetë viti i themelit të 100-viteve që vijnë, i vizionit të Shqipërisë. Duhet të jetë një vit në të cilin qytetarët duhet të ndihen më krenarë dhe më të vlerësuar se kurrë në historinë e tyre, krenarë në ato që kanë realizuar ata vetë dhe paraardhësit e tyre. Ta shndërrojmë këtë vit në vitin e vizionit dhe të një qëllimi të ri për shqiptarët dhe Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
Wednesday, 04 January 2012 14:10