Tiranë -Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së qeverisë se, çështja e kanalizimeve përbën një problem serioz për vendin. 
Sipas Kryeministrit, “rrethanat e zhvillimit të vendit kanë imponuar përqendrimin më të madh të fondeve në rrugë, ujësjellësa dhe ndonëse janë ndërtuar dhjetëra-mijëra km kanalizime, është i domosdoshëm një zgjidhje për këtë problem madhor”.
“Po ndërtojmë dhe kemi ecur në ndërtimin e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza”, tha Kryeministri, por sipas tij, problemi është madhor pasi në sistemin e vjetër ekzistues derdhen edhe ujërat e shiut, ç’ka dyfishon koston e impianteve. Ultësira bregdetare, funksionon gjerësisht mbi bazën e gropave septike, që janë gropat më problematike.
“Ministria e Punëve Publike, Mininistria e Brendshme, pushteti vendor, do duhet ta përparësojë problemin e ujërave dhe kanalizimeve në tërësi dhe ujërave të zeza në veçanti, sepse ka një prapambetje të padiskutueshme në këtë sektor”, tha Berisha.
Kryeministri kërkoi që të ngrihet një grup ndërinsitucional, i cili do të shqyrtojë dhe hartojë një plan veprimi për të adresuar në mënyrën më të vendosur këtë problem serioz.
“Investimet janë mjaft të mëdha. Nga Velipoja në Sarandë po punohet për kolektorë dhe kanalizime, por një disiplinë më e fortë duhet ndaj këtij problemi”, u shpreh Kryeministri.
“Ministria e Mjedisit duhet të ketë një qëndrim shumë të vendosur”, tha Berisha. “Ky proces, së bashku me kolektorët, do të bëjë të mundur që ujërat e ultësirës të hidhen të pastra në det. Qeveria është e vendosur t’i japë përparësi këtij sektori”, përfundoi Kryeministri Berisha.
Wednesday, 11 January 2012 13:26