Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të hënën se, më 8 maj, Tirana votoi blu, ndërsa koalicioni i maxhorancës “Aleanca për Qytetarin” fitoi 140 mijë vota më shumë se koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen”.
Berisha konfirmoi se, do të presë rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mësuar emrin e fituesit për kryetarin e ri të bashkisë së kryqytetit.
Gjatë një konference për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, Berisha tha se Tirana u gdhi blu dhe ky është një shpërblim i madh që u fitua nga përfaqësuesit e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
“Tirana votoi blu, sepse fushata këtu u fitua nga përfaqësuesit e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe kjo është një fitore e shkëlqyer dhe e paprecedent në këto 15 vitet e fundit”, tha Berisha.
Ai gjithashtu shtoi se “fushata në Tiranë u drejtua në shkallën më të lartë të qytetarisë nga kandidati i maxhorancës”, Lulzim Basha.
Kryeministri Berisha nënvizoi se për emrin e fituesit për kryebashkiakun e ri, do të presë vendimin e KQZ-së.
“Ne jemi fitues në 7 minibashki dhe unë nuk kam shpallur asnjë fitues, por këto janë rezultate të KZAZ-ve, të cilat në ligjin elektoral, kanë autoritetin që të shpallin fituesin për minibashkinë. Ndërsa, po sipas ligjit elektoral, fituesin e KZAZ-së së Tiranës e shpall KQZ-ja. Unë nuk shpall asnjë fitues, por unë dhe forca ime politike qëndron në mënyrën më të vendosur prapa çdo vote të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas tij, çdo përpjekje për të cënuar të drejtën e ankimimit është goditje në zemër të sistemit.
“Çdo përpjekje për të cënuar të drejtën e kontestimit është një goditje në zemër të sistemit dhe është gjëja më e papranueshme ndaj cilitdo. Jam i bindur që KQZ-ja dhe gjykatat shqiptare e kanë këtë parim themelor të sistemit zgjedhor shqiptar. Por, do të flas, pasi t’a shpallë KQZ-ja”, u shpreh kryeministri Berisha.
Monday, 16 May 2011 16:51