Tiranë -Kryeministri Sali Berisha përgëzoi sot shqyrtimin e ligjit për gjykatën administrative në komisionin e Ligjeve, ndërsa i bëri thirrje opozitës që të mos e përdorë për të penguar reformat integruese të vendit. 
Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha gjithashtu i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë edhe për heqjen e imunitetit.
“Përgëzoj komisionin e Ligjeve që nisi sot shqyrtimin e një ligji të rëndësishëm për të gjithë botën e biznesit, por edhe për administratën, siç është ligji i gjykatës adminstrative”, tha Berisha, duke shtuar se “PS-ja ka miratuar në parim ligjin që prej 2 vjetësh nuk e bëri, dhe ka kërkuar konsultime për të cilat është normale, por të mos e përdorë për të pritur një datë tjetër, kur të diskutohet për Shqipërinë”, theksoi Berisha.
Kryeministri i kërkoi opozitës që “të njëjtin vullnet të tregojnë edhe për ndryshimin e imunitetit nëse janë të çliruar nga një grup i vogël milionerësh, që siç e keni vënë re, në çdo pamje televizive flasin vetëm për pare”.
Berisha ironizoi edhe kreun e PS-së, i cili, sipas tij, kërkon të bëhet arkitekt i së djathtës. Përpjekjet për të hedhur baltë mbi PD-në do të mbeten të dështuara, tha Berisha, i cili shtoi se “Rama po përpiqet të bëhet arkitekt i të djathtës kur vazhdon ta çojë të majtën nga disfata në disfatë”.
“Rama ka hall kujt do t’ia hedhë Bamirin në prehër. Pasi e detyroi të votojë, tani e ka kap halli se në ç’ferrë do ta vendosë. Unë i them Ramës se gjatë themelimit të PD-së ka një histori, kanë dështuar të gjithë ata të cilët janë përpjekur t’u servirin sapunin për djathë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas Kryeministrit, opozita nuk voti për largimin e ish-nënkryetarit të KLD-së, ndërsa tani derth lot krokodili se çahet e djathta.
“Se atë faqeziun nuk e votoi për shkarkimin nga KLD-ja, sepse nuk guxonte të votonte partitë portokalli. Tani derdh lot krokodili se po përçahet e djathta. Komenti më i mirë për të gjitha këto është no koment”, u shpreh Berisha.
Monday, 12 March 2012 14:33