Qeverisje me taksa të ulëta, por…nuk është krejt kështu. Duhen edhe përjashtime.
“Duhet të adaptojmë një qëndrim shumë të vendosur dhe serioz për trajtimin e mbetjeve në vend”, tha të enjten Kryeministri Sali Berisha, ndërsa u shpreh edhe për rritjen e taksës së gjelbërimit.
Gjatë një takimi me prefektët dhe kryetarët e qarqeve, Berisha tha se, edhe pse mbetet një mbështetës i fuqishëm i taksave të ulëta, qeveritarët vendorë duhet të rishikojnë taksën për mjedisin.
“Duhet të paguajmë pak më shumë për një mjedis të pastër”, tha Berisha.
Ai kërkoi që problemi i plehut në zonat rurale dhe ai i mbetjeve urbane të konsiderohet me prioritet dhe të praktikohen ndërhyrje emergjente, duke përcaktuar vendodhjet ku do të hidhen ato.
“Nuk ka gjë më të shëmtuar sesa hedhja e mbetjeve dhe plehut në rrugën kombëtare që të sjellë drejt qytetit”, tha ai.
Në këtë drejtim, Berisha kërkoi që qeveritarët vendorë të përcaktojnë për çdo komunë, zonat e hedhjes së plehrave, ndërkohë që duhet të bëhet gjithçka për krijimin e impianteve për përpunimin e tyre.
Kryeministri kërkoi që të shënohet një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit, duke sjellë në vëmendje se “data 20 prill është shpallur si dita e Shqipërisë së pastër”.
“Të gjitha projektet që kanë lidhje me mjedisin, projektet për impiantet e përpunimit të ujërave të zeza dhe landfilldet duhet të kenë përparësi absolute. Ne duhet të vendosim një kapitull të ri në qëndrimin ndaj plehrave”, tha Berisha.
Thursday, 29 March 2012 13:55