Tiranë-Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen për pastrimin e çative. Qeveria në Shqipëri shpalli mbrëmë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat me mbi një metër borë.
Rajonet më kritike mbesin Dibra, Kukësi, Korça, Shkodëra dhe rrethi i Librazhdit. Ndërkohë ushtria, forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe policia janë përqëndruar në zonat e shpallura si emergjenca civile.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha apeloi te banorët e zonave të bllokuara që fillimisht të pastrojnë çatitë e shtëpive për t’ju shmangur rrezikut.
“Thirrja ime për autoritetet vendore dhe kryepleqtë me përparësi absolute të ndihmojnë familjet që e kanë të pamundur për shkak të moshës, sëmundjes apo rrethanave të tjera t’ua pastrojnë çatinë. Nuk duhet injoruar në asnjë rrethanë pesha e dëborës në çati”
Orteqet e borës, sipas Berishës janë problemi i dytë që mund të rrezikojnë banorët.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë është angazhuar që nga ajri të shpërndaj pako sanitare dhe medikamente për të moshuarit në zonat e bllokuara nga bora. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 February 2012 17:29