Lajme Shqip Sunday, 27 May 2012 20:41

Tiranë – Progresi i gjithanshëm i Kosovës ka bërë që ajo të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti e bashkëpunimi në rajon, u theksua në takimin që Kryeministri Sali Berisha pati me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Zyra e Shtypit e Kryeministrisë njoftoi se Berisha zhvilloi sot një takim miqësor me Presidenten Jahjaga, në rezidencën qeveritare në qytetin e Durrësit.

Berisha vlerësoi rolin e kontributin e Jahjagës në konsolidimin e Republikës së Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Nga ana e saj, Presidentja Jahjaga i shprehu Kryeministrit Berisha ngushëllimet më të thella për humbjen e jetëve në aksidentin tragjik në Himarë, një ngjarje që tronditi thellë të gjithë qytetarët e Kosovës. 

Në takim u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës si interes jetik i qytetarëve te dy vendeve.  Ne bisedime u trajtuan dhe zhvillimet në rajon. (LajmeShqip.com)