Tiranë- Kryeministri Sali Berisha ftoi te enjten investitorët e huaj që të investojnë në Shqipëri, pasi vendi ofron të gjitha potencialet, veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës.
Në fjalën e tij, në ceremoninë e fillimit të vitit të investimeve për Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Kryeministri tha se falë modelit të ekonomisë së lirë, Shqipëria ka dyfishuar eksportet për dy vitet 2009-2011dhe falë saj vendi ka pasur zhvillim në prodhim.
“Shqipëria është duke përparuar në lirinë ekonomike dhe për këtë arsye, të gjithë ne, qeveria dhe komuniteti i biznesit, do të bëjë më të mirën për ta zgjeruar dhe respektuar këtë model, si një kusht për zhvillimin ekonomik në vënd”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se, sipas të dhënave të Censusit, shqiptarët kanë ndërtuar më shumë se çdo vend tjetër në këto vite, duke lënë pas 5 vende të BE-së. “Ne duhet të bashkëpunojmë më shumë për të vazhduar axhendën tonë për të pasur një zhvillim konstant të vendit tonë”, tha Berisha.
Duke folur për energjinë, kryeministri përmendi 63 HEC-et që po ndërtohen dhe fillimin e punimeve në kaskadën e Devollit. “Shqipëria duhet të jetë një ndër prodhueset e energjisë në rajon. Ta kthejmë Shqipërinë në prodhuese të energjisë së rinovueshme në rajon”, tha Berisha.
Ndër potencialet e tjera të Shqipërisë, mundësi investimi për investitorët e huaj, Berisha përmendi edhe potencialin e madh turistik që ka vendi. Sipas tij, numri i turistëve në vend gjatë viteve 2004-2011 ka qënë befasues. “Kush investon në turizëm nuk do të dështojë”, tha kryeministri.
Gjithashtu, Berisha tha se qeveria ka projekte mjaft ambicioze për të shmangur krizën ekonomike, duke përmendur këtu edhe prodhimin e arroreve, për të cilat ftoi biznesin e huaj që të investonte. “Ne do të bëjmë më të mirën që të ndërtojmë rrugët më moderne, ndaj kushdo që do të investojë në këtë vend, nga kudo, do të ketë mundësi të vizitojë Tiranën duke kursyer 60-80% të kohës së tij”, tha Berisha.
Kryeministri tha se qëllimi më i madh i qeverisë është krijimin i kushteve për të lehtësuar punën e investitorëve të huaj në vend. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 10:35