Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh, të hënën, në një konferencë për financimin në arsimin e lartë se, “të gjitha reformat që zhvillohen në vend bëhen me qëllimin më kryesor të shndërrimit të Shqipërisë në vend të zhvilluar dhe reforma kryesore është shndërrimi i sistemit universitar”.
“Asnjë nga objektivat e këtij projekti nuk mund të realizohet, në rast se në përpjekjet tona nuk vendoset që në universitetet e vendit të zhvillohet e ardhmja jonë”, tha Berisha.
Sipas tij, “gjatë këtyre viteve universitetet i janë përshtatur ndjeshëm tregut dhe kushteve të reja”. Berisha theksoi se megjithë vështirësitë, qeveria ka rritur numrin e studentëve që sot ndjekin studimet e larta. “Sot në universitete zhvillohen mbi 530 programe dhe në një hark kohor 3-4 vjeçar, numri i studentëve është rritur në 318 mijë. Jemi përballur me vështirësi të mëdha, mungesa serioze e të gjithanshme, por kjo politikë ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme sepse Shqipëria duhet të paguajë çmimin e së kaluarës së saj”, tha Berisha.
Sipas tij “5 vjet më parë, Shqipëria ka pasur studentë për frymë, 4 herë më pak se mesatarja e BE-së”. “Ndaj u vendos një politikë që duhet të na gëzojë, sepse faktoi se ëndrra e të rinjve shqiptar për arsimim ishte e madhe. Qëllimi i qeverisë është t’u krijojë shanse të barabarta të rinjve shqiptarë, pasi për vendin në tërësi rendja pas cilësisë është emergjencë”, tha Berisha.
Duke i’u drejtuar pedagogëve dhe akademikëve të universiteteve, Berisha siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka për të ndërtuar kampuset dhe të gjithë logjistikën e nevojshme. “Do bëjmë gjithçka për të modernizuar mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në çdo universitet. Do bëjmë gjithçka që t’ju japim autonominë maksimale, sepse leva e Arkimedit për universitetet është liria akademike”.
Sipas Kryeministrit, “Shqipëria ka arritur të barazojë disa tregues me vendet e zhvilluara, megjithëse ka ende mjaft për të bërë”. “Sot ia kemi dalë të kemi dy-tre tregues të njëjtë me vendet e zhvilluara. Kemi rreth 70% të maturantëve që hyjnë në universitet, por jemi larg niveleve cilësore të universiteteve të këtyre vendeve. Në fushën e arsimit duhet të guxojmë të matemi me vendet e zhvilluara, sepse kjo është rruga e sigurt për të zhvilluar vendin tonë”.
Berisha u shpreh se reforma financiare është kryesorja në arsimin universitar. “Reforma financiare, e cila duhet të synojë një mekanizëm të ri menaxhimi, synon të reformojë lirinë akademike”, tha ai.
Sipas Berishës, “Qeveria është e detyruar të mbrojë dhe mbështesë njerëzit në nevojë”. “Qeveria s’do të lejojë që të ardhurat të jenë pengesë që të rinjtë shqiptarë të ndjekin studimet”, tha ai.
Kryeministri kërkoi që modelet e sukseshme të universiteteve të Britanisë së Madhe të jenë shembull për universitetet shqiptare. “Kemi sistemin e Bolonjës, por në universitetet tona duhet të ndjekim shembullin e universiteteve anglo-saksone. Frymëzimi ynë duhet të jenë universitetet e Britanisë së Madhe”, vijoi ai.
Sipas Berishës, liçencimi i universiteteve private mbetet shqetësim për të gjithë. “Rritja e transparencës së universiteteve private është qëllimi ynë. Duhet të zhvillojmë debat për çdo shqetësim në sistemin universitar dhe mirëpresim çdo sugjerim për përmirësimin e sistemit universitar”.
Berisha hodhi poshtë kritikat për masivizim të universiteteve, duke thënë se, “shanset për punësim janë shumë më të mëdha tek ata që diplomohen, sesa tek ata që nuk diplomohen”. “Të ardhurat e të diplomuarve janë 70% më të larta sesa ato të personave që nuk diplomohen”, tha ai.
Monday, 17 October 2011 10:39