Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 07:37

Tiranë – Një seri kushtesh ultimative për të bllokuar integrimin e mëtejshëm të vendit, e ka cilësuar Kryeministri Berisha paktin kombëtar me 10 pika që kryesocialisti Rama paraqiti pak ditë më parë në emër të bashkëpunimit me pozitën për integrimin e vendit në BE.

Në një intervistë televizive, Kryeministri deklaroi se është i hapur vetëm për bashkëpunimin për reformën zgjedhore dhe për ndryshimin e rregullores parlamentare, dy nga 10 propozimet e Ramës. Berisha i bëri thirrje opozitës që të lërë mënjanë interesat politike dhe të ulet së bashku me maxhorancën për reformën zgjedhore. “E kam ftuar PS-në për reformën zgjedhore që të ulemi të dyja palët”, tha Berisha.

Duke folur për rregulloren e Parlamentit, Berisha u shpreh se ajo është më e mira e mundshme dhe e njëjtë me atë të Parlamentit Europian. Berisha tha se çdo gjë që do të propozojë Rama për reformën parlamentare dhe që përputhet me rregulloren e Parlamentit Europian, do ta pranojë. “Çdo nen i rregullores së Parlamentit shqiptar, që bie ndesh me rregulloren e Parlamentit Europian, do ta amendoj”, tha Berisha.

Kryeministri i cilësoi pazare propozimet e Ramës për zgjedhjen konsensuale të figurave partiake në krye të institucioneve kushtetuese, ndërhyrjet në kushtetutë apo kërkesën që palët duhet t’i drejtojnë Prokuorisë së Përgjithshme për hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit dhe hetimin e kabllogrameve të Wikilaeks.

Duke u ndalur tek Prokuroria e Përgjithshme, Berisha tha se Rama duhej të kërkonte që të reformohej ky institucion dhe jo t’i dërgohej një letër kryeprokurores. Ai shtoi se Rama është i vetmi politikan në botë që kërkon hetimin e Wikileaks dhe këtë e bënë se ka një kabëll të tmerrshme për PS-në. “Rama ka frikë se Berisha do e përdor atë. Por, e siguroj se nuk do e bëj një gjë të tillë”, tha Berisha.