Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 17:07

Tiranë – Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor ka deklaruar se presidenti i ri i vendit do të dalë pas konsensusit me LSI, por duke synuar 3/5 e votave në Kuvend.

Të paktën kështu deklaroi ai përpara deputetëve duke iu referuar marrëveshjes qeverisëse me LSI në vitin 2009. Sipas tij, Kryesia e PD është dhe mbetet e mendimit të palëkundur se procesi i përzgjedhjes së presidentit është më seriozi.

Ai ka akuzuar kryesocialistin Rama se po përdor argumentin e rrëzimit të qeverisë për të mos marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit. “Në vend të përgjigjes me shkrim, Rama nisi editorialin e rradhës në të cilin betohet solemnisht se do rrëzojë qeverinë me cdo kusht.

Sipas tij, rrëzimi i qeverisë është problemi i vetëm dhe se zgjedhja e presidentit duhet të jetë në funksion të rrëzimit të qeverisë’, tha Berisha në mbledhjen e grupit.

Kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar në Twitter për deklaratat e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat. Ai i cilësoi deklaratat një teatër absurd.“KM vijon teatrin absurd, ne vijojmë të kërkojmë dialog një orë e më parë, për të mos djegur aplikimin e Shqipërisë në BE, vjeshtën e ardhshme”, tha Rama.

Ai sqaroi se 4 pikat e propozuara nga kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruci në takimin me homologun e tij Astrit Patozi, për të negociuar në lidhje me zgjidhjen e një presidenti konsensual, nuk janë ultimatume por kushtet për integrimin e vendit.

Tahiri: Pikat e PS-së Jo ultimatum por në interes të integrimit     

Partia Socialiste, përmes deputetit Saimir Tahiri, reagoi të hënën ndaj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së, duke mohuar që plani i ofruar prej tyre në tryezën e djeshme të jetë ultimatum apo kusht.

Duke i konsideruar propozimet e tyre si katër çështje tërësisht të rëndësishme dhe vendimtare për marrjen e statusit të vendit kandidat, Tahiri theksoi se zgjidhja e tyre kërkon bashkërendim dhe konsensus nga të gjitha partitë politike.

“Nuk jemi para kushteve dhe ultimatumeve. Të katër pikat janë çështje që duhet të marrin zgjidhje për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ato janë çështje madhore, që kërkojnë zgjidhje të bashkërenduar të të gjitha forcave politike”.

I pyetur nga gazetarët se cili do të jetë hapi tjetër i PS-së, nëse ky plan nuk merr miratimin e maxhorancës, ai nuk dha një qëndrim të prerë, ndërsa la të hapur ftesën për tryezën e kërkuar në takimin e djeshëm Ruçi-Patozi(LajmeShqip.com)