Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 15:20

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se, “qeveria po përgatit paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve”.

Berisha tha se “rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë shtylla kryesore e qeverisë së kësaj mazhorance që nga ardhja e saj në pushtet në 2005 dhe theksoi se kjo politikë do të vijojë të mbetet objekti i punës së qeverisë për aq kohë sa shqiptarët do ta votojnë”.

Sipas tij, rritja e rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike, përbën shtyllën kryesore të programit të PD-së dhe aleatëve të saj, si dhe përfaqëson fytyrën njerëzore të sistemit që ne ndërtojmë.

“Në vitin 2005 ne gjetëm sistemin e rrogave dhe pensioneve më të papërshtatshmin për qytetarët shqiptarë. Ne vendosëm të ndryshonim sistemin për të përmirësuar jetesën e qytetarëve dhe i mbajtëm premtimet tona, duke dyfishuar rrogat në disa sektorë brenda 4 viteve të mandatit tonë të parë”, tha Berisha.

Në këtë drejtim, ai përmendi rritjen e pagave në disa sektorë të rëndësishëm, si, shëndetësia, arsimi dhe theksoi se “edhe pensionet e fermerëve janë dyfishuar”.

Kryeministri siguroi se rritja e rrogave dhe pensioneve nuk do të ketë asnjë ndikim në rritjen e borxhit publik të vendit.

“Falë politikave të qeverisë ne e ulëm borxhin publik nga 72 % që ishte në vitin 2005, në 59 % në vitin 2010”, tha Berisha, duke shtuar se borxhi publik do të qëndrojë në këtë nivel deri në vitin 2013. Sipas tij, “objektiv i qeverisë është ulja e borxhit publik në periudhën 2013 – 2017”.

Kreu i Qeverisë vuri në dukje se “ulja e borxhit gjatë mandatit të shkuar u bë në një kohë kur në Shqipëri u mbidyfishua rroga mesatare e punonjësve dhe pensionet dhe u ndërtuan 8 mijë km rrugë, qindra e qindra ujësjellësa e shkolla”.

Duke e cilësuar këtë politikë si “një model të suksesit”, Berisha akuzoi Partinë Socialiste se përdori të gjitha format për të penguar rritjen e rrogave dhe pensioneve që i konsideroi si vepër kriminale.

“Këtë vit ne sërish do të rrisim në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet, pasi kemi bindjen e plotë se ky mbetet investimi më i rëndësishëm që një komb mund të bëjë”, tha Berisha.

Ai informoi se “buxheti i shtetit i miratuar në fund të vitit 2010, do të riformatohet, duke u bazuar në parametrat makroekonomikë”.