Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 14:21

Tiranë – Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetaren e Asamblesë Parlamentare të Pakistanit, Fehmida Mirza, duke e vlerësuar vizitën e saj si një kontribut të madh në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike, që ekzistojnë mes dy vendeve dhe qeverive dhe në forcimin e thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe popujve miq.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për takimin me znj. Mirza, si Kryetaren e parë femër në historinë e Parlamentit pakistanez, çka tregon përpjekjet e këtij vendi për të konsoliduar një shoqëri demokratike bazuar në parimet e barazisë gjinore dhe liritë dhe të drejtat e njeriut.

Gjatë këtij takimi, kreu i ekzekutivit i kërkoi Kryetares së Asamblesë Parlamentare, znj Mirza, që Pakistani të marrë në konsideratë e të shqyrtojë çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar njohjen e pavarësisë së shtetit më të ri të Evropës, si një kontribut të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon.

Kryetarja e Asamblesë Parlamentare të Pakistanit e siguroi atë se, “pavarësia e Kosovës po shqyrtohet me seriozitet dhe se parlamenti do luajë rol aktiv në këtë drejtim”.

Zonja Mirza vlerësoi arritjet e mëdha të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Kryeministrit Berisha në përparimet, që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre 20 viteve, për sa i përket konsolidimit të demokracisë, zhvillimit me ritme të shpejta të vendit, etj.

Në takim u ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, arsimit, shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, si dhe në nxitjen e investitorëve pakistanezë për të shfrytëzuar potencialet, që ofron Shqipëria.

Gjithashtu gjatë takimit u vlerësua kontributi që Shqipëria ka dhënë dhe vijon të japë në Koalicionin ndërkombëtar në Afganistan në ndihmë të një populli mik, i cili po bën përpjekje të jashtëzakonshme për ndërtimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve, si dhe u shpreh angazhimi i të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit, në kuadër të bashkëpunimit në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit, si në Afganistan ashtu edhe më gjerë.