Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 11:34

New York-Në vijim të vizitës në New York, Kryeministri Berisha zhvilloi takime me kongresmenin Eliot Engel dhe kongresmenin Joseph Crowley, të cilët ishin të pranishëm në punimet e Forumit të Investimeve SHBA – Shqipëri, bëri të ditur sot zyra për shtyp e Kryeministrisë.

Gjatë takimit me kongresmenin Engel u diskutua për çështjen e njohjes së mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe koordinimin e përpjekjeve në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha çmoi si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, si një moment, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm si në planin e përgjithshëm ekonomik, ashtu dhe në planin e rritjes së lirive të qytetarëve të saj.

Kongresmeni Engel e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e palëkundur të qeverisë amerikane në lidhje me çështjen e Kosovës, duke vlerësuar edhe maturinë e qeverisë së saj në lidhje me hapat e ndërmarrë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e sovranitetit të saj.

Kryeministri, nga ana e tij, konfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen e kufijve ekzistues në Ballkan, si politika më e mirë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Duke diskutuar për situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Berisha mirëpriti kthimin e opozitës në parlament dhe shprehu shpresën se opozita do të përfshihej në mënyrë serioze në reformën zgjedhore dhe do të kontribuonte me konsensus dhe vullnet pozitiv në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në BE.

Kryeministri vlerësoi qëndrimet e qeverisë amerikane në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, përfshirë zgjedhjet e fundit të zhvilluara.

Ndërsa gjatë takimit me kongresmenin Crowley u diskutuan çështje të interesit të përbashkët, ku fokus të veçantë patën marrëdhëniet dhe zhvillimi i diasporës shqiptare, veçanërisht në New York.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në zhvillimin e demokracisë.

Ai vlerësoi rolin e diasporës shqiptare dhe falënderoi kongresmenin Croëley për mbështetjen e tij personale ndaj saj. Të dy kongresmenët shprehën dëshirën për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë. (LajmeShqip.com)