Lajme Shqip Saturday, 22 October 2011 16:33

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan ku në emër të qeverisë shqiptare si dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave, qeverisë dhe popullit mik turk, për tre marinarët turq që humbën jetën në aksidentin tragjik të përplasjes së anijes së pasagjerëve “Ankara” me anijen “Reina 1”, ndodhur në ujërat ndërkombëtarë 20 milje larg portit të Durrësit.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bën të ditur se në mesazhin dërguar homologut turk, kryeministri thekson se një operacion i gjerë kërkimi është angazhuar për gjetjen e 5 personave të tjerë që rezultojnë të humbur.

“Dëshiroj me këtë rast t’ju bëj me dije se qeveria shqiptare ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë duke nisur një operacion të gjerë kërkimi në të cilin janë angazhuar disa anije të rojes bregdetare si edhe një helicopter”, thekson shefi i qeverisë shqipare.

Në mesazhin dërguar homologut të tij turk, Berisha bë të ditur se “dy anëtarë të ekuipazhit  janë shpëtuar, dhe ndodhen tashmë jashtë rezikut në Spitalin Rajonal të qytetit të Durrësit ku po marrin kujdesin e plotë shëndetësor. Ndërkohë, po vijojnë përpjekjet intensive për gjetjen e pesë të humburve, të ndihmuara edhe nga anija turke “Barbados”, për të cilën gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë”.

“Duke shpresuar që këto përpjekje të japin rezultatin e dëshiruar, shqiptarët luten së bashku me popullin mik turk, që shpirtrat e viktimave të tragjedisë të prehen në paqe”, përfundon Kryeministri Berisha në mesazhin dërguar kryeministrit Erdogan.