Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ndoqi sot sesionin e paradites të Seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, që u mbajt në Paris, me iniciativë të qeverisë franceze.
Në përfundim të tij, Kryeministri Berisha u shpreh në një prononcim për median mbi temat dhe përfundimet e seminarit ku tha se, nisur nga pikëpamjet e idetë që u mbrojtën në seminar, modeli shqiptar është në përputhje të plotë me drejtimet e reja, parashikimet e vizionet e zhvillimit ekonomik dhe shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar.
Kryeministri Berisha u shpreh se, “kjo konferencë, e organizuar nga qeveria franceze, në të cilën ishin të pranishëm Kryeministri i Francës Fillon, disa ministra të qeverisë franceze, ministri i Ekonomisë Besson që është edhe organizatori kryesor i saj, kryeministra e zyrtarë nga vende të tjera, ishte jashtëzakonisht interesante dhe e rëndësishme”.
“Dje u diskutua gjerësisht mbi modelet e suksesit dhe theksi u vu kryesisht në vendet e BRIK-ut, Brazil, Rusi, Indi, Kinë, por, e vërteta është, se theksi dhe një vend të veçantë pati edhe modeli i Shqipërisë, si një ndër modelet më të suksesshme sot”, theksoi Kryeministri.
Sipas Kryeministrit Berisha modeli i ekonomisë shqiptare është, “model, i cili ka garantuar rritjen e konsoliduar të ekonomisë, një model, i cili, ndoshta si asnjë vend tjetër, ka realizuar rritjen me 100 për qind të eksporteve shqiptare, pra, dyfishimin e tyre në harkun kohor 2009-2011, një model që ka shënuar rritjen prej 316 për qind të investimeve të huaja në harkun kohor 4 vjeçar, një model, i cili në një hark kohor 5-6 vjeçar i ka dhënë të ardhura ekonomike vendit mbi 7 miliardë dollarë më shumë”.
“Ky model, i bazuar në lirinë ekonominë, taksat e ulëta, qeverinë e vogël, përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhdukjen e pengesave burokratike, u konsiderua këtu si një model suksesi”, tha Kryeministri.
“Pata rastin të bëj një ekspoze të këtij modeli dhe të shpreh mendimet e mia për potencialet e mëdha të Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë. Kryeministri shtoi se, “në konferencë u diskutua se fuqia qëndron mbi të gjitha, tek liria”.
“Liria është fuqia kryesore. Natyrisht, modelet që sot janë modele suksesi, në gjykimin e vlerësimin tim, nuk synojnë të zëvendësojnë modelet ekzistuese, por janë një apel për reformime të tjera të këtyre modeleve. Kështu, për shembull, barra e ulët fiskale është e faktuar shkencërisht e në praktikë si një nga sukseset e mëdha të zhvillimit të shpejtë ekonomik”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, “pati diskutime të gjera mbi drejtimet themelore të zhvillimeve të sotme, të cilat realisht janë përqafuar nga Shqipëria”.
“U theksua se sot, energjia është drejtimi themelor dhe unë sapo përfundova një takim me Korporatën Energjetike të Francës që është grupi Suez, i cili më tha se konstatojmë se Shqipëria po bëhet një basen i mrekullueshëm i prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe ne duhet të jemi pjesëmarrës në këtë zhvillim”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Sipas Kryeministrit, drejtimi i dytë themelor është teknologjia e lartë. “Informova audiencën mbi progresin e madh që ka bërë Shqipëria me aplikimin e kësaj teknologjie dhe vendosmërinë e saj për ta shtrirë në çdo qelizë të vendit”, tha Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, “drejtim tjetër themelor ishte bujqësia e modernizimi i saj, gjë që ne e kemi vendosur në epiqendër të përpjekjeve tona”.
“Në konferencë, në rast se dje u diskutua gjerësisht për modelet e reja dhe se ku qëndron fuqia e tyre, sot u diskutua për kufijtë e rinj dhe drejtimet më të rëndësishme që duhet të ndjekë ekonomia botërore në vitet që vijnë. Krahasuar me pikëpamjet e idetë që u mbrojtën, gjej që modeli shqiptar është në përputhje të plotë me këto drejtime të reja, parashikime e vizione të zhvillimit ekonomik dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar”, theksoi Berisha.
Sot pasdite do të ketë folës të tjerë të rëndësishëm, kryeministra, Zëvëndëspresidenti i Komisionit Europian dhe në darkë do të marrim pjesë në pritjen që jep për pjesëmarrësit kryesorë në këtë konferencë Presidenti Sarkozy, i cili do të mbajë edhe një fjalë shumë të rëndësishme mbi qëndrimet e qeverisë franceze për zhvillimet aktuale në Europë e në botë.
Friday, 06 January 2012 16:00