Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 18:51

Tiranë (PLOTESUAR 19:30)-Kryeministri Sali Berisha, u prit në një takim të veçantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë Italisë, qeverisë italiane dhe popullit italian për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në 20 vitet e ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe që vazhdojnë t’i japin asaj në rrugën e integrimit evropian.

Nga ana e tij, Presidenti Napolitano theksoi se politika e Italisë kundrejt Shqipërisë ka ruajtur në mënyrë konstante frymën e bashkëpunimit e të miqësisë në të gjitha fushat, pavarësisht mazhorancave qeverisëse që kanë drejtuar Italinë.
Ai shprehu kënaqësinë që Shqipëria ndodhet shumë pranë integrimit në BE dhe e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e tij dhe të Italisë në këtë proces.

Duke theksuar se ky vit është viti ku Shqipëria dhe shqiptarët festojnë 100 vjetorin e pavarësisë, kryeministri  e ftoi presidentin Napolitano si një mik të ndërtuar të shqiptarëve që të marrë pjesë në këto festime.Nga ana e tij, Presidenti Napolitano falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë me rastin e këtyre festimeve. (LajmeShqip.com)

**********************

Tiranë -Në kuadër të vizitës së tij në Itali, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një konferencë për shtyp me homologun e tij italian, Mario Monti. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat.Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e Italisë ndaj Shqipërisë.

“Mirënjohje të thellë qeverisë dhe kombit italian për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e vështirë dhe të suksesshme. Kjo ndihmë ka pasur një rëndësi jetike. Mirënjohje të thellë kombit italian, sepse që nga Mesjeta deri në ditët e sotme shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë”, u shpreh kryeministri Berisha.

Në fjalën e tj kryeministri italian, Mario Monti, tha se në takim kishin bërë bilancin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe se vlerësonte se ato janë në nivelin maksimal të tyre. Ai theksoi se Italia ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe ka mbështetur gjithashtu edhe procesin e integrimit evropian.  Monti gjithashtu theksoi se vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur reformat e kërkuara për integrimin evropian.
    
“Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE. Unë dhe Berisha jemi takuar për herë të parë në Bruksel në 1996, kur unë isha komisar në Bruksel. I kam shprehur vlerësimin për përpjekjet e Shqipërisë për reformat që ia ka kërkuar BE gjatë rrugës së integrimit dhe kam ripohuar nga ana e qeverisë italiane mbështetjen tonë më të fortë në këtë drejtim”, theksoi kryeministri italian, Mario Monti. (LajmeShqip.com)