Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 13:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të mërkurën se procesi i privatizimit është jetik për reformën ekonomike të një vendi dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, ndaj kërkoi që të procedohet me shpejtësi me këtë proces.

Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se “është e faktuar tashmë se pronësia dhe menaxhimi privat përbën një kusht themelor në luftën kundër korrupsionit dhe zvogëlimin e këtij fenomeni me pasoja të rënda”.

Sipas tij, sot Shqipëria është vendi me sektorin publik më të vogël në Europë dhe ndoshta ndër më të vegjlit në botë. “Prodhimi i brendshëm i vendit në masën rreth 84 për qind vjen nga sektori privat. Realisht sektori publik, përveç energjisë elektrike, nuk ka një prodhim tjetër dhe kontribuon në prodhimin e brendshëm me buxhetin e vet, që është shumë herë më modest se sa buxheti tërësor i sektorit privat të vendit”, tha Berisha.

Qëllimi i privatizimit, sipas Berishës, “është njëkohësisht rritje e madhe e eficencës së menaxhimit”. “Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë sektor publik më të vogël se Shqipëria dhe privatizime më të thella dhe të mëdha se Shqipëria, por sërish ne duhet ta finalizojmë këtë proces”, tha Kryeministri, duke kërkuar që “të shiten edhe ato aksione që kanë mbetur ende shtetërore në aksionet apo në asetet e sipërmarrjeve të mëdha tashmë të privatizuara”.

Kryeministri kërkoi që të shqyrtohen termat, të përshtaten me situatën e realitetit dhe të procedohet me privatizimin e INSIG-ut, i cili për shkak të fortunës financiare botërore pati problematikën e vet.

“Janë ndërkohë edhe 1280 objekte të tjera, të cilat janë në proces e sipër. Të gjitha këto objekte në rast se kanë pronar, do të respektohet e drejta e parablerjes nga pronari. Por këto objekte do të privatizohen në përputhje me rregullat dhe me transparencë të plotë”, tha më tej Berisha.

Ai kërkoi që gjysma e dytë e këtij viti, të konsiderohet si vendimtare në kompletimin e procesit të privatizimit. “Shqipëria do të ketë si pronë publike digat e mëdha, shkollat e spitalet, parqet kombëtare dhe tokat pa pronarë. Të tjerat do të jenë tërësisht në administrim dhe menaxhim të sektorit privat”, tha Berisha, duke shprehur besimin se kjo do ta bëjë ekonominë shqiptare shumë konkurruese.

Ai vuri në dukje se një nga shkaqet që Shqipëria i rezistoi krizës financiare botërore ishte fakti se ngarkesa publike është sa gjysma e çdo vendi tjetër përreth. “Duke kompletuar privatizimin, kjo ngarkesë bëhet edhe më e vogël, taksat e qytetarëve dhe biznesmenëve nuk do të shkojnë për rroga, por për shkolla, për rrugë, për spitale dhe shërbime për të realizuar objektivin tonë madhor, Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017”, tha Berisha.

Duke e konsideruar procesin e privatizimeve, si një proces themelor për ekonominë e tregut të lirë, Berisha kërkoi që të shikohet mundësia e dhënies së çdo shërbimi për menaxhim nga sektori privat.