Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 15:48

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “institucionet përgjegjëse për shtetin ligjor, i kanë të gjitha potencialet për t’i dhënë zgjidhje të saktë dhe të vërtetë garës së ngushtë në Tiranë”.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se zgjedhjet jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të lirë, nga alfa te omega, janë çështje të shtetit ligjor.

Lidhur me procesin e numërimit të votave të panumëruara për kandidatin për kryebashkiak, kryeministri vuri në dukje se “pak ditë më parë z.Rama kryesonte me 10 vota, pas numërimit të votave të panumëruara, z Basha rezulton të jetë mbi 70 vota para”.

Berisha nënvizoi se “mbështetësit e dy kandidatëve presin me padurim të shohin kryetar Bashkie kandidatin që mbështesin, por ju garantoj se intersi më i mirë i qytetarëve kryeqytetas është procesi dhe funksionimi i shtetit ligjor, dalja e rezultatit përmes ligjit dhe institucioneve të këtij vendi”.

Duke iu bërë thirrje mediave që t’i kontribuojnë këtij proces si interesi më mirë i tyre, Berisha theksoi se “ky është një proces me rezultat të ngushtë, por plotësisht i mundshëm për të qartësuar rezultatin me transparencë për çdo votë dhe për të nxjerrë në dritë rezultatin përfundimtar”.

Shefi i Ekzekutivit falenderoi miqtë ndërkombëtarë për thirrjet e tyre që, në thelb të mesazheve, apelojnë për funksionimin e plotë të shtetit ligjor në këtë vend.

“Në çdo zgjedhje pa përjashtim, ka një humbës dhe fitimtar, por ajo që është e sigurtë të nesërmen është se të gjithë duhet të ndjehen qytetarë të lirë dhe të shohin me besim tek demokracia e tyre dhe funksionimi i saj”, theksoi Kryeministri Berisha.

Ai shprehu besimin se ky proces do kapërcehet me sukses të vërtetë, jashtë çdo lloj presioni apo ndikimi.

“Le të ndjekim punën e këtyre institucioneve si rrugën e vetme dhe të sigurtë për t’i dhënë zgjidhjen më të mirë ligjore problemit të kësaj gare kaq të ngushtë”, tha Kryeministri Sali Berisha.