Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 19:40

Tiranë-Kryeministri Berisha theksoi sot, gjatë takimit me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, se lufta kundër korrupsionit dhe transparenca e qeverisjes janë gur themeli në një shtet demokratik.

Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur se duke e vlerësuar KLSH si një institucion themelor në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë punën e këtij institucioni dhe shprehu besimin se KLSH do të shqyrtojë gjithçka me rigorozitet dhe objektivitet maksimal në përputhje me ligjin.

Kryeministri kërkoi që kontrolli të ketë si objektiv të gjitha institucionet si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor.

Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që veprimtaria e KLSH të përqendrohet në shtratin e saj ligjor që ia përcakton qartë Kushtetuta dhe ligjet.

“Me punën tuaj, të përpiqeni të forconi besimin e publikut tek këto institucione si dhe të përcillni një përgjegjshmëri sa më  të lartë për zbatimin e ligjit”, u shpreh Berisha.

Kreu i Ekzekutivit tha se Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion, pranë Këshillit të Ministrave dhe te gjitha institucionet e tjera të kontrollit janë të gatshme të bashkëpunojë me KLSH-në.

Nga ana e tij, Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, theksoi se strategjia e re e KLSH do të jetë në sintoni me Strategjinë Antikorrupsion të qeverisë të miratuar në vitin 2008, duke siguruar nga ana tjetër se do të synojë në një zbatim profesional dhe efikas të ligjit jashtë çdo interesi tjetër.

Në këtë kontekst, zoti Leskaj vlerësoi masat e ndërmarra nga Kryeministri Berisha për mbështetjen e veprimtarisë së KLSH-së, si dhe vlerësoi angazhimin e tij për bashkëpunim me strukturat shtetërore të kontrollit dhe të zbatimit të ligjit. (LajmeShqip.com)