Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 15:00

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh, në konferencën “Integrimi euroatlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, se  Karta e Adriatikut është një mjet mjaft i rëndësishëm që ndihmoi vendet e rajonit për bashkëpunim.

Kryeministri shprehu mirënjohje ndaj atyre që ideuan dhe themeluan në Tiranë Kartën e Adriatkut si “një instrument të ri, me të cilin donin të ndihmonin vendet tona për progres dhe rritje drejt anëtarësimit në NATO”.

Kjo nisëm, vuri në dukje kryeministri “ia doli të bëjë ndryshime epokale në rajonin e Ballkanit, të bëjë kombet e rajonit më të sigurta se kurrë”.

“Karta e Adriatikut u shndërrua në një proces që bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe de facto edhe Maqedonisë në NATO. Kjo nisëm mirëpriti dhe mirëpret vendet e tjera, Malin e Zi dhe  Bosnjën dhe mbetet e hapur plotësisht dhe funksionon për Serbinë dhe Kosovën”, tha Kryeministri.

Sipas tij, “Karta e Adriatikut 5, menjëherë pas themelimit, u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal të çështjeve më të rëndësishme dhe sensitive të vendeve dhe kombeve, që janë çështjet e sigurisë”.

“Kjo nisëm shërbeu për ndërtimin me shpejtësi të urave të bashkëpunimit mes vendeve që më parë nuk e kishin parë me sy të mirë njëri-tjetrrin dhe sot grupon vende që deri dje kanë qenë armiq ndaj njëri-tjetrit, por që kanë vullnetin për të shkruajtur një kapitull të ri në drejtim të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit mes tyre”, u shpreh Berisha.

Kryeministri vuri në dukje se “Karta e Adriatikut 5 është unike në llojin e vet dhe në këtë kartë duhet të përshëndes kryesimin që i bëri Mali i Zi, Kartës duke konsoliduar më tej rolin e saj në rajon”.

“Jam i bindur se Kosova, e cila është këtu në rajon në disa aspekte de facto anëtare e NATO-s, de jure nuk është,  megjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me KFOR-in. Kosova është një vend garancie stabiliteti dhe paqeje në rajon me një rol të veçantë.

Jam i i bindur se pas kapërcimit të një problematike në Veriun e Kosovës, Serbia do të marrë rolin që i takon në interesin më të mirë të të ardhmes së kombit serb”, theksoi Berisha. Sipas tij, “Samiti i Lisbonës ishte një samit historik për Aleancën pasi ai përcaktoi konceptin e ri strategjik të saj”.

“Në këtë koncept shtylla kryesore janë mbrojtja kolektive, menaxhimi i krizave, siguria dhe bashkëpunimi. Vendet tona gjejnë veten shkëlqyer në konceptin e ri stategjik të Aleancës. Shqipëra ëshë e vendosur të japë çdo kontribut në sigurimin kolektiv, pasi ai përbën formën më të lartë të sigurisë në secilin vend”, tha Kryeministri.

Ai ftoi vendet e tjera për bashkëpunim rajonal në situata krizash. “Duhet të jemi sëbashku në të gjitha krizat rajonale. Krizat janë të shumëllojshme. Emergjencat që përballemi janë të njejta. Forcat e armatosura s’kanë të zëvendësuar në menaxhimin e emergjencave civile. Në të gjitha rastet kemi pritur ndihmën e NATO-s, por tani kemi detyrën të ndihmojmë edhe ne dhe këtë ta bëjmë në kuadër të Kartës së Adriatikut.

Duhet të kemi më shumë frymë bashkëpunimi, më shumë veprimtari”, theksoi Berisha.
“Shqipëria është dhe do të mbetet e hapur për bashkëpunimin më të ngushtë më vendet tuaja. Dhe do të mbështesë aspiratat tuaja për anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut Verior”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.