Tiranë – “Çdo shqiptar është krenar me proamerikanizmin e tij, ndjenjë kjo e rrënjosur në lirinë e tyre dhe që do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë”, tha sot në mbrëmje, Kryeministri Sali Berisha, gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së kësaj përfaqësie diplomatike në vendin tonë.
Kryeministri theksoi se, rihapja 20 vite më parë e ambasadës së SHBA-së në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në historinë e kombit shqiptar.
“Shqiptarët patën rastin ti dëshmojnë kombit tuaj dhe mbarë botës në pranverën e vitit 1991 se vërtetë ambasada e SHBA-së pushoi së funksionuari gjatë viteve të egra të diktaturës, por kjo ndërtesë gjeti strehë të plotë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve”, tha Berisha në fjalën e tij.
Sipas tij, “këtë e dëshmoi pritja e jashtëzakonshme që shqiptarët i rezervuan sekretarit amerikan, Bejker në Tiranë”. “Kjo pritje dëshmoi se aspiratat e tyre të lirisë ishin të njehësuara me dashurinë dhe respektin për kontributin e SHBA-së në lirinë e shqiptarëve. Por vizita e Bejker në Tiranë solli edhe mesazhin e qartë se Shqipëria nuk mund të mbetej si Kuba e Ballkanit”, tha Berisha.
Kryeministri solli në kujtesë vendimet e rëndësishme të SHBA-ve që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve dhe me pavarësinë e tyre, në një kohë kur të tjerët vendosën ta fshinin nga harta Shqipërinë.
“Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët luftuan në koalicion me vendin tuaj të madh por ranë në diktaturën më mizore. Në vitin 1991 Presidenti Bush dhe Sekretari i Shtetit Bejker sollën mesazhin e lirisë për shqiptarët. Më pas Presidenti Klinton udhëhoqi NATO-n në çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga një regjim barbar. Presidenti Bush udhëhoqi komunitetin ndërkombëtar me pavarësinë e Kosovës dhe Presidenti Barack Obama firmosi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, tha Berisha, duke sjellë në vëmendje të gjitha aktet madhore të SHBA-ve që kanë të bëjnë me lirinë e shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-së gjatë këtyre 20 viteve të fundit për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.
“Jam dëshmitar i asaj kohe kur vendi ngjante me një akullanjë të vërtetë dhe era e lirisë do të shkrinte një nga një akujt e këtij vendi. Ne jemi një komb i vogël dhe gjëja më e madhe që muns t’ju ofrojmë kombit tuaj në shenjë mirënjohje dhe respekti, është ndërtimi dhe konsolidimi i atyre vlerave të mëdha që kanë bërë kombin amerikan më të madhin dhe të fuqishmin e botës”, tha në përfundim Berisha.
Tuesday, 04 October 2011 20:41