Tiranë – Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë treditore në Izrael, zhvilloi paraditen e sotme një takim me Ministrin e Energjisë, Ujit dhe Burimeve natyrore, Uzi Landau, njoftoi zyra për shtyp e Kryeministrisë.
Ministri Landau shprehu kënaqësinë që priste Kryeministrin shqiptar, në një takim, i cili do t’i shërbejë forcimit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike.
Zoti Landau i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar për mbrojtjen dhe strehimin që ata u ofruan hebrenjve të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i shpëtuar nga terrori nazist.
Kryeministri Berisha u shpreh se qëllimi i kësaj vizite është forcimi i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe kombeve dhe zgjerimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Landau me potencialet e jashtëzakonshme që Shqipëria ofron në sektorë si ai i energjisë, infrastrukturës, turizmit, bujqësisë, etj.
Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se Shqipëria, si një vend i pasur me burime ujore, mirëpret investimet e huaja në këtë fushë, si për prodhimin e energjisë hidrike, ashtu edhe për sistemet e përpunimit te ujërave apo të ujitjes për qëllime të bujqësisë, etj.
Kryeministri u shpreh se rreth 443 HEC pritet të ndërtohen në Shqipëri dhe se qeveria shqiptare do të mirëpresë investitorët izraelitë për të marrë pjesë dhe për të ndërtuar në Shqipëri historitë e tyre të suksesit, në fushën e prodhimit te energjisë, por edhe në fusha të tjera.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria ofron gjithashtu potenciale të mëdha për investime në sektorin e infrastrukturës, turizmit, industrisë minerale, etj, të cilat nga dita në ditë po tërheqin gjithnjë e më shumë investitorë të huaj.
Nga ana e tij, ministri i Energjisë i Izraelit, Uzi Landau, pasi u njoh me potencialet e ofruara nga Shqipëria në fusha të ndryshme, rikonfirmoi dëshirën dhe interesin e investitorëve izraelite për investime në vendin tonë, si dhe gatishmërinë e palës izraelite dhe ndërmarrjeve publike e private të Izraelit për të shkëmbyer eksperiencën e tyre me specialistët shqiptarë në këtë fushë, si dhe për t’i drejtuar investimet e tyre ne Shqipëri.
Izraeli ofron një eksperiencë të pasur në sektorin e menaxhimit të ujërave dhe kanalizimeve, infrastrukturës, etj, eksperiencë, të cilën jemi të gatshëm ta ndajmë me kënaqësi me kolegët shqiptarë, u shpreh ministri Landau.
Kryeministri Berisha u shpreh se kompanitë izraelite dhe përvoja e tyre e gjerë në fushën energjetike janë të mirëpritura në Shqipëri dhe se e njëjta ftesë i bëhet ekspertizës në fushën e energjisë gjeotermike, diellore dhe të erës, si dhe praktikave më të mira në fushën e ujitjes, për të cilat Shqipëria paraqet interes të veçantë.
Gjatë këtij takimi të dy bashkëbiseduesit rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për të nxitur dhe thelluar bashkëpunimin në të ardhmen në të gjitha këto fusha.
Kryeministri Berisha e ftoi ministrin Landau të vizitojë Shqipërinë dhe nga ana e tij ministri izraelit Landau u përgjigj se do të vizitojë këtë vend mik me shumë kënaqësi.
Monday, 21 November 2011 15:02