Fier -Kryeministri Berisha inspektoi sot ecurinë e punimeve në rrugën Levan (Fier) – Tepelenë, investim me vlerë 70 milionë euro.
Kryeministri e konsideroi këtë “një rrugë transformuese”, që me përfundimin e saj, “jugu do të arrijë tregun e Tiranës në më pak se dy orë” dhe “turistët nga Tirana dhe mbarë bota do të arrijnë në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, në një kohë që 2-3 vjet më parë asnjë nga ne nuk e imagjinonte”.
Pasi u informua nga zbatuesit e projektit mbi fazat e projektit dhe vëllimin e punimeve, Kryeministri Berisha e inspektoi atë në të gjithë trajektoren e saj, nga Levani (Fier) deri në Memaliaj (Tepelenë).
Rruga e re ka një gjatësi prej 71 kilometra dhe shkurton me 22 kilometra dhe 1 orë e 10 minuta distancën e mëparshme nga Fieri në Tepelenë.
Rruga, e projektuar sipas standardeve të infrastrukturës europiane, ka gjerësi 10.5 metra, shpejtësi të lëvizjes 80-100 km/h dhe do të ketë 38 ura. Rruga është e ndarë në dy lote: lot i parë Levan-Damës, me gjatësi 38 kilometra dhe vlerë investimi 40 milionë euro dhe loti i dytë, Dames-Tepelenë, 32 kilometra dhe vlerë investimi 30 milionë euro.
Kryeministri u shpreh se “autostrada Levan- Tepelenë është një nga autostradat më të rëndësishme të vendit, pasi me përfundimin e saj, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena do të arrihen nga Tirana në një hark kohor më pak se dy orë. Saranda, me përfundimin e segmentit Kardhiq-Delvinë, do të jetë edhe ajo në 2 orë e 20 minuta.
Nëse do të doni të shkoni të pini një kafe në majën e Çajupit, Olimpin e Gjirokastrës, do të shkoni aty për 2 orë e 30 minuta. Pra, kjo rrugë transformon Shqipërinë nga Tirana deri në skajin e saj më jugor”.
Sipas Berishës, kjo rrugë është fatlume, sepse nuk mund të bllokohet nga politika bllokuese e kryetarit aktual të Partisë Socialiste, sepse tha ai, “ju garantoj se në qoftë se edhe këto do të ishin në paketën e bllokimit, shqiptarët nuk do të shihnin një rrugë të vetme me sy dhe do të mbeteshin me trashëgiminë hoxhiste, që ishte edhe trashëgimia më katastrofale në rrugë. Por nuk ka asgjë që mund të pengojë ndërtimin e Europës në çdo skaj të këtij vendi, ndërtimin e Europës në luginën e Vjosës, në luginën e Përroit të Thatë, në luginën e Kardhiqit e kudo, në çdo fshat e çdo vend dhe procesi i integrimit është e do të mbetet një proces i pakthyeshëm”.
I pyetur mbi deklaratën e djeshme të ambasadorit Sequi, i cili foli për gjuhën e bashkëpunimit, Kryeministri Berisha tha se “ne vetëm po ndërtojmë rrugë e ura bashkimi. Ne po ndërtojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj ura e rrugë bashkimi”.
Ndërsa pyetjes nëse këtë po e bën edhe Presidenti, Kryeministri Berisha tha se “sot jam këtu për këtë kryevepër të punëve publike në Shqipëri, e cila në vëllime punimesh është pothuajse identike me Fierzën. Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund të dal jashtë ndjesive që kam sot për këtë rrugë, ndaj ju lutem që pyetjet që keni për problem të tjera m’i rezervoni në konferenca të tjera shtypi, sepse unë sot jam tërësisht i vërshuar në brendinë e shpirtit tim nga Vjosa e bukuritë e luginës së saj”.
Përsa i përket pyetjes nëse kjo rrugë do të ndikojë në zgjedhjet e vitit 2013, Kryeministri Berisha theksoi se “kjo rrugë e bën më zonjë Shqipërinë në 100 vjetorin e saj. Kjo rrugë do të përfundojë dhe Shqipëria, në 100 vjetorin e saj, do të jetë me rrugë të atilla, që edhe ata, që bënë projektet më mahnitëse për të, nuk e kishin përfytyruar ndonjëherë”.
Tuesday, 18 October 2011 13:05