Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 14:15

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u ndal sot, gjatë përurimit të një rruge me vlerë 67 milion lekë në Berat, tek kërkesa e krerëve të opozitës, të cilët sipas tij, “për të sulmuar qeverinë kërkojnë heqjen e TVSH-së për prodhimet e fermerëve”.

“Qëllimi është që juve tu mbeten prodhimet në fushë dhe kjo vetëm e vetëm që ju të ktheheni kundër e të mos votoni për qeverinë, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne nuk e heqim TVSH-në për prodhimet tuaja”, tha Berisha, ndërsa shtoi se në BE, nga 188 miliard euro buxhet, më shumë se 90 miliard jepen për të subvencionuar prodhimin bujqësor.

Sipas Berishës, opozita kërkon që të mbushet tregu me prodhime të huaja dhe të lëmë në fushë prodhimet tona. “Nuk e bëjmë këtë edhe për një arsye tjetër. Sot në Shqipëri, 51 % e popullatës jeton në fshat, ndërsa të ardhurat për frymë të popullsisë në qytet janë qartësisht më të larta se sa në fshat. Nëse ne marrim vendimin që kërkon opozita do të thellojmë më tej këtë pabarazi”, tha Kryeministri.

“Ne nuk e heqim TVSH-në për importet siç kërkojnë shokët e Partisë Socialiste, sepse në mënyrë absolute, asnjë nga këta biznesmenë nuk ul çmimin, përkundrazi çmimi mbetet aty ku është. Prodhimet dhe të ardhurat tuaja zvogëlohen dhe rriten të ardhurat e klaneve të atyre që kërkojnë këtë gjë”, tha ai.

Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se Qeveria do të mbështesë fermerët vendas dhe do të rrisë subvencionet për ta. “Fatmirësisht,  ky ligj nuk kërkon tre të pestat , ndaj dhe të jeni të sigurtë se ky vend nuk do të shndërrohet ndonjëherë në Republikë tregtare”, tha ai.

Sipas Kryeministrit, “krerët e PS-së përdorin sot pushtetin që u kanë dhënë zgjedhësit, për të bllokuar ato pak ligje që janë të domosdoshme të votohen me tre të pestat për integrimin e vendit në Evropë”. “Këto janë jo më shumë se 5 % e ligjeve që nevojiten, ndërsa 95 % e ligjeve të tjera nuk bllokohen dot nga ata të cilët përdorin pushtetin e dhënë nga zgjedhësit, për të bllokuar ëndrrën, aspiratën, interesin më të mirë për zgjedhësit e vet”, tha Berisha.

Ai garantoi se, qeveria do të shtyj përpara procesin e integrimit, sepse ata të cilët mendojnë se mund të na largojnë nga Evropa, nuk tregojnë gjë tjetër veçse atavizëm të origjinës së tyre.

“Nga Evropa asgjë nuk do të mund të na largojë. Mund ta ngadalësojnë, por në zgjedhjet e kaluara morën 141 mijë vota më pak dhe sot zoti Edi Rama është i vetmi politikan në Evropë, i cili kalon nga disfata në disfatë, sepse zgjedhësit e ndëshkojnë për politikën e tij bllokuese. Është politikan, i cili do të dalë në pension në mënyrë edhe të pavullnetshme, sepse socialistët do t’ia presin biletën brenda vitit 2013”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.