Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 00:07

Tiranë-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ftuar në një emision televiziv, tha se do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike nëse humbet zgjedhjet.

“Ka gjithmonë kohëra për të ikur dhe ato kanë një rregull të pashkruar në shoqëritë e lira, por që ka të bëjë me Kushtetutën morale. Një lider që udhëheq një forcë politike dhe humbet zgjedhjet, si rregull, por me plot përjashtime, largohet. Dhe unë nuk do të jem një përjashtim”, tha Kryeministri Berisha.

Kreu i Qeverisë tha se “nëse një lider humbet zgjedhjet, ai duhet ti lëshojë vendin një tjetri, i cili premton më shumë se ai, për ta çuar herën tjetër atë forcë, në fitore”.

“Ky është një rregull në tërësi që ka përjashtime jo të pakta, por unë do ti përmbahesha”, tha Berisha.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë moment në këto 21 vite pluralizëm kur ka qenë koha që ai personalisht të japë dorëheqjen, Berisha tha se, e ka bërë një gjë të tillë kur ishte President i Republikës dhe forca e tij politike humbi zgjedhjet.

“Askush nuk mund të më pengonte që të vijoja detyrën dhe të respektoja Kushtetutën, përveç kodit moral, sepse kisha thënë se, nëse partia ime humbet zgjedhjet do të jepja dorëheqjen nga President”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)