Tiranë – Kryeministri, Sali Berisha i kërkoi të martën opozitës që “të angazhohet për të hartuar së bashku me maxhorancën një rezolutë në të cilën, të shprehen zotimet në shërbim të axhendës politike për procesin e integrimit europian të vendit”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kryeministri shprehu mirënjohjen për vizitën e djeshme në vendin tonë të ministrave të jashtëm të Italisë dhe Greqisë, ndërsa ritheksoi mesazhin e tyre që të mos bllokohet procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
“Ata erdhën në një kohë kur forcat politike me deklaratat e tyre kanë pohuar se do të punojnë me përkushtim për integrimin e vendit. Ata erdhën në një kohë kritike, në çastet më të fundit kur ky proces mund të ndihmohet”, tha Berisha.
Duke ftuar opozitën për miratimin e kësaj rezolute, Berisha tha se “tani është momenti që deklaratat dhe qëndrimet tuaja lidhur me procesin e integrimit, të bëhen realitet nëse ato nuk janë një bllof i radhës”. Berisha garantoi selinë rozë se maxhoranca qeverisëse, do të respektojë opozitën bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
“Pavarësisht nga skepticizmi, unë besoj se qëndrimet e veta opozita nuk i merr për hir të qeverisë, por i bazon në programin e saj si forcë politike. Qëndrimet e veta opozita duhet ti bazojë dhe në funksion të realizimit të qëllimeve të saj dhe kjo është normale. Tani ju duhet të faktoni se deklaratat tuaja nuk janë bllofi i radhës me të cilin kërkohet vetëm një gjë, të blihet kohë dhe tu hidhet pak hi syve shqiptarëve”, tha Berisha.
Sipas tij, “në rrafshin politik, ky qëndrim do të ndëshkonte çdo shqiptarë dhe në mënyrë të parikthyeshme, autorët e tij”.
Kryeministri siguroi maxhorancën se Kuvendi nuk do të kthehet në një shesh pazari në pazare dhe nuk do të vendosen kushte.
“Jeni të mirëpritur të bashkëpunojmë. Ju kërkuat tërheqjen e ligjit administrativ dhe kërkesa juaj u pranua. Shqyrtojeni përsëri këtë ligj, por kalendat greke çdo shqiptarë do ti quaj si bllofin e radhës”, tha ai.
Gjithashtu, Kryeministri ftoi opozitën që të paraqesë në Kuvend kandidaturën për Avokatin e Popullit, ndërsa siguroi se maxhoranca nuk do të sjellë asnjë kandidaturë për këtë post, duke ia lënë atë opozitës.
Tuesday, 13 September 2011 12:09