Tiranë – Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në New York për të marrë pjesë në punimet e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u takua në një darkë pune me delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Presidentja Ahtifete Jahjaga.
Në një njoftim për shtyp të kryeministrisë, thuhet se “në këtë darkë të organizuar nga delegacioni kosovar, ishin të pranishëm Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zv/kryeministri i Kosovës, Bexhet Pacolli, Kongresmeni amerikan Eliot Engel, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, etj”.
Gjatë darkës, të dy delegacionet diskutuan zhvillimet e fundit në Kosovë, duke theksuar se veprimi i fundit i qeverisë së Kosovës dhe Eulex për vendosjen e doganierëve në kufirin verior, do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës, në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të Kosovës.
Monday, 19 September 2011 16:23