Ashtu siç e deklaroi edhe në Parlament se zgjedhja e Presidentit do të jetë një proces i negociueshëm dhe kushtetues, kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e e Kryesisë së PD-së, u caktua grupin negociator për këtë çështje.
Të mandatuarit e Partisë Demokratike, të cilët do të zhvillojnë negociata me partitë e tjera për çështjen e presidentit janë: kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, nënkryetari i PD-së Astrit Patozi dhe deputeti Edmond Spaho, të cilët do të informojnë kryesinë për procesin e bisedimeve.
“Përparësojmë një proces të negociueshëm kushtetues, kjo vjen jashtë çdo spekulimi. Kushtetuta ka gërmën dhe frymën shumë të qarte, personi që zgjidhet president nuk zgjidhet nga kopshti i unitetit të popullit, por nga vlerat qytetare për t’u përmbajtur vlerave kushtetuese, nga integriteti politik që e detyron t’i përmbahet betimit kushtetues. Qytetaret presin që ai t’i konsiderojë të barabartë”- deklaroi Berisha.
Kryeministri theksoi se është një detyrim madhor që presidenti para interesave vetjake të ketë interesin publik, ndërsa shtoi se integriteti politik, qytetar dhe atdhetarizmi, janë kushte themelore për t’u ulur me dinjitet në karrigen e presidentit, për t’u shndërruar në përfaqësues të unitetit të popullit.
Berisha i ka qëndruar deklaratës se do të propozojë një figurë të lartë të PD-së, por pa përjashtuar se do të ishte i hapur edhe për një kandidaturë të dalë nga negociatat.
“Jam shprehur se do të propozoj personalitete kryesore të PD-së. Në punën time dhe vlerësimin tim udhëhiqem nga besimi dhe vlerësimi. Bashkëpunëtorët e mi janë jo të paktë, disa të cilët do ta nderojnë ligjin dhe kushtetutën e vendit, burra dhe gra, që kanë investuar shumë për vendin e tyre. Nuk pranoj në kulturën time politike të demonizoj njeri. Çfarë janë përfaqësuesit e lartë të PD-së, armiq klase, sikundër nga ana tjetër nuk demonizoj kundërshtarët e mi. Nuk mund të ecet me klishe- tha kryetari i PD-së, duke iu drejtuar anëtarëve të kryesisë.
Në fjalën e tij kryeministri dhe njëherësh kryetari i PD-së, ka theksuar se u bënë disa kohë që janë shpallur kandidatura të veçanta.
“Ata që kanë shprehur ëndrrën presidenciale direkt apo indirekt i falënderoj.
Falënderoj edhe ata që janë angazhuar në këtë debat. Në vlerësimin tim të palëkundur ëndrra presidenciale është me fisnikja e çdo qytetari” – theksoi kryeministri.
Më tej ai shtoi se vijmë në një moment të rëndësishëm në një kohë kur kemi qeverisur tre vjet me një mazhorancë me realizime të mëdha në të gjitha fushat. Bëmë reforma të mëdha. Ekonomia e vendit në kohën e krizës më të rëndë ka katërfishin e rritjes mesatare rajonale.
“Bëmë ndryshimin e rëndësishëm elektoral me kryeqytetin e vendit. Kjo mazhorancë ka detyrën kushtetuese të bëjë vendin me president. Por mazhoranca do gabonte nëse nuk do përfshinte në këtë proces edhe opozitën me negociata të ndershme “- shtoi shefi i mazhorancës.
Ai tha gjithashtu se me drejtuesit kryesorë të PS-së ka pasur dy praktika.
“Me Nanon ekzistojnë disa marrëveshje. Me zotin Rama ka pasur bashkëpunim të frytshëm para 2009-ës. Tentativa e parë me Ramën ishte dështim i plotë,”- theksoi Berisha, ndërsa shtoi se negociatat do kenë shansin më të madh nëse zhvillohen në selinë e parlamentit”.
Friday, 25 May 2012 07:53