Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 14:01

Tiranë-Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të bëhet në Bruksel. Kështu i është përgjigjur kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha pyetjes së një studenteje nga Kosova gjatë takimit që u mbajt sot me një grup studentësh nga Fakulteti i Edukimit të Prishtinës në kryeministri. 

I pyetur në lidhje me mundësinë që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen një ditë në një shtet të vetëm, Berisha tha se e vetmja mundësi është bashkimi në BE.

“Projekti i bashkimit të shqiptarëve është integrimi në Bashkimin Europian. Interesi më i mirë i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Natyrisht që jemi një komb dhe jemi ndarë në mënyrë të padrejtë, çka përbën edhe padrejtësitë më të mëdha historike por fatmirësisht u korrigjua me çlirimin e Kosovës. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE, nuk mund të marrim asnjë vendim që do të kërcënonte më shumë humbje territoresh.”- deklaroi Berisha. 

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe e shqiptarëve, kryeministri Berisha tha se ndryshimi i kufijve ekzistues rrezikon humbjen e territoreve. 

“Pavarësia e Kosovës finalizoi pavarësinë e Shqipërisë”-tha kreu i qeverisë shqiptare duke shtuar se pavarësia e Kosovës kurorëzoi përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe dinjitet. (LajmeShqip.com)