Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 17:29

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ritheksoi sot angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur detyrimet e saj në kuadrin e NATO-s, si dhe përkrah aleatit të saj strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kudo që kjo të jetë e nevojshme.

Në një takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, Berisha vlerësoi lart rolin e SHBA-së dhe NATO-s në Evropë, në zgjidhjen dhe stabilizimin e konflikteve në rajonin e Evropës Jug – Lindore, në dy dekadat e fundit.

Kryeministri nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbajtjes në të ardhmen të pranisë së SHBA dhe të NATO-s në rajon, si një kusht i rëndësishëm për garantimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik të këtij rajoni.

Ambasadori Arvizu vlerësoi rolin e Shqipërisë si një anëtar i denjë dhe aktiv i Aleancës së Atlantikut të Veriut, në operacionet që NATO ka ndërmarrë dhe ndërmerr në Afganistan, Irak etj., në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit global.

Në këtë kuadër, ai e njohu Kryeministrin Berisha me Strategjinë e re të Mbrojtjes së SHBA, të prezantuar pak ditë më parë nga Presidenti Obama.

Ambasadori Arvizu u ndal në drejtimet kryesore të strategjisë, në të cilat theksohet një angazhim më i madh i SHBA-së në Azi, vazhdimi i angazhimit nëpërmjet partneritetit në Lindjen e Mesme dhe ritheksim i rëndësisë themelore që Evropa dhe NATO ka në strategjinë globale të SHBA-së.

Kryeministri Berisha e falënderoi Ambasadorin Arvizu për këtë prezantim të Strategjisë së re të Mbrojtjes së SHBA-së, si dhe vlerësoi drejtimet në të cilat ajo zhvillohet.

Në këtë kuadër, Kryeministri çmoi si me rëndësi për paqen dhe stabilitetin në botë, fokusimin më të madh të kësaj strategjie drejt Azisë. (LajmeShqip.com)