Tiranë – Kryeministri Berisha theksoi sot, gjatë takimit me Drejtorin e Agjencisë Federale të Kontrollit të Trafikut të Narkoti
këve të Rusisë, Viktor Ivanov, se Shqipëria mirëpret dhe mbështet bashkëpunimin me Rusinë, në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe se marrëveshja, e nënshkruar sot midis dy vendeve, është një bazë e rëndësishme ligjore për të mundësuar konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në këtë fushë.
Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha theksoi se qeveria e konsideron prioritet të madh luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar në tërësi, duke vlerësuar në këtë kontekst, si shumë të rëndësishëm e të domosdoshëm bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Zoti Ivanov e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe për marrëveshjen e nënshkruar, të cilën e vlerësoi gjithashtu, një themel të rëndësishëm për një bashkëpunim të vazhdueshëm në këtë fushë. Ai i paraqiti Kryeministrit një ekspoze të situatës së luftës kundër narkotikëve në Rusi, por edhe një përshkrim të përgjithshëm përsa i përket trafikut ndërkombëtar të drogës. Zoti Ivanov vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit për luftën me eficencë dhe sukses ndaj kësaj të keqeje si për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, edhe për sigurinë e stabilitetin apo rendin publik të vendeve prodhuese, por shpesh edhe të vendeve tranzit.
Në takim u vlerësua si një arritje shumë e rëndësishme fakti që rrugët e drogave të rënda, siç është heroina, nga Afganistani, janë zhvendosur tashmë nga Shqipëria, çka dëshmon për suksesin e fushatës të luftës me zero tolerancë të qeverisë shqiptare. Gjithashtu u vlerësua edhe fakti që kultivimi i kanabisit në Shqipëri është reduktuar në mënyrë drastike.
Në takim u vlerësua si një hap pozitiv konteksti ligjor shqiptar, i cili përcakton përgjegjësitë e pushtetit lokal në këtë luftë, duke i shndërruar përfaqësuesit e pushtetit vendor në aleatë të qeverisë në këtë luftë.
Duke i përcjellë përshëndetjet për Kryeministrin Putin dhe Presidentin Medvedev, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Ivanov se Shqipëria do të jetë një partner eficent dhe i vendosur në luftën kundër trafikimit të drogës dhe zbatimit të ligjit
Friday, 26 August 2011 18:46