Krerët më të lartë të shtetit serb, janë takuar mëngjesin e së premtës në Beograd, ku kanë diskutuar për rrjedhën dhe vazhdimin e dialogut me Kosovën, i cili do të mbahet më 4 mars. Takimi ka filluar në orën 9 dhe ka zgjatur rreth një orë e gjysmë.
Këshilltari i presidentit serb, Marko Duriç, u ka thënë gazetarëve në Beograd se Serbia është e gatshme të përmbushë të gjitha detyrimet në mënyrë që të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta inkurajojë Prishtinën që të bëjë lëshime sa u përket marrëveshjeve kyçe që duhet të arrihen në Bruksel”, citohet të ketë thënë ai, raporton B92.
“Ne jemi në një moment ku Prishtina ka nevojë të inkurajohet që të bëjë disa lëshime dhe koncesione”, ka vazhduar ai më tutje për të shtuar se Serbia do të shkojë të hënën në Bruksel me një strategji të qartë për atë që duhet të arrihet “si marrëveshje kyçe me Prishtinën”.
Sipas Duriç, Serbia ka koncept të qartë sa i përket formimit të asociacionit të komunave serbe dhe është e gatshme të zhvillojë bisedime serioze.
“Ne mendojmë se komuniteti ndërkombëtar duhet ti japë një mesazh të qartë Prishtinës sepse ky është çelësi i kalimit të këtij udhëkryqi në negociata”, tha ai.
Në takimin e kreut shtetëror të Serbisë, kanë marrë pjesë president serb, Tomislav Nikoliç, kryeministri Ivica Daçiç, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Mladan Dinkiç.
Friday, 01 March 2013 11:53