Beograd – Tridhjetë e pesë ithtarë të ish liderit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, janë arrestuar mbrëmë në Beograd
Ata ishin pjesë e grupit prej rreth 50 ithtarëve të Mlladiqit, të cilët protestonin në qendër të kryeqytetit serb, pasi që ai u arrestua dje në mëngjes.
Demonstruesit u shpërndanë nga policia. Forcat policore kumtuan se ithtarët e Mlladiqit u përpoqën të organizojnë protestë, për të cilën nuk kanë pasur leje.
Rreth 500 demonstrues në Novi Sad, u përpoqën ta sulmojnë ndërtesën e Partisë demokratike serbe në pushtet.
Sipas mediumeve lokale, demonstruesit, të cilët u mblodhën për t’i shprehur mbështetje ish liderit ushtarak të serbëve të Bosnjës, kanë hedhur gurë ndaj ndërtesës dhe kanë thyer disa xhama.
Demonstruesit u shpërndanë pas ndërhyrjes së policisë, ndërsa sipas dëshmitarëve okularë dy demonstrues mbetën të shtrirë në rrugë, të cilët më pas janë dërguar me automjet të ndihmës së shpejtë.
Friday, 27 May 2011 10:47