Lajme Shqip Tuesday, 13 October 2015 10:53

 “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës” është monografia, e cila sjell të përmbledhura shumë fotografi private e profesionale dhe shkrime të ndryshme për karrierën dhe jetën e ikonës së ndjerë të kinematografisë, Bekim Fehmiu.

Duke e njohur për së afërmi, gazetari, publicisti, përkthyesi, dhe njëherësh miku i Fehmiut, Fahri Musliu, nuk ka mundur të qëndrojë indiferent pa bërë diçka për aktorin e madh.

Autori, për emisionin “Express”, tha se ky libër do të publikohet edhe në gjuhën serbe.

Në promovimin e monografisë që u mbajt të dielën në Prizren, regjisori Bekim Lumi deklaroi se ky libër është model se si duhet ruajtur kujtesën për personalitete të këtilla, si Bekim Fehmiu.

Ndërkaq, gazetari dhe shkrimtari, Skënder Zogaj, i cili kishte pasur rastin ta intervistojë Bekimin shumë kohë më parë, shpalosi disa kujtime, gjersa realizimin e kësaj monografie e quajti “akt guximi dhe testament të rëndësishëm”.

Monografia “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës” përmban tetë kapituj dhe nis me atë “Vetëvrasja si akt personal”, gjersa vazhdon me pjesë të tjera që përfshijnë intervistat e shumta të Bekim Fehmiut, filmat e tij të suksesshëm etj. Krahas Prishtinës, monografia do të promovohet edhe në qendra të tjera të Kosovës dhe Shqipërisë, derisa në gjuhën serbe në Beograd promovohet më vonë.

“Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës” tashmë gjendet nëpër disa librari.

Ndryshe, në këtë promovim, një nga qytetarët e pranishëm kërkoi që Qendrës “Evropa” t’i vihet emri Bekim Fehmiu dhe për këtë kërkesa t’i dërgohet Kuvendit Komunal të Prizrenit, duke bërë kështu, atë që, sipas këtij qytetari, nuk e ka bërë Kuvendi i Kosovës, që nuk kishte mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e Bekim Fehmiut.

Krahas promovimit, në këtë ngjarje u luajtën edhe disa pjesë muzikore, si dhe u lexuan disa poezi të autorëve të ndryshëm kushtuar Bekim Fehmiut.

Në anën tjetër, emisioni “Express” ditët në vazhdim do të sjellë një rrëfim interesant të autorit të kësaj monografie për Bekim Fehmiun. Si ishte ai përtej aktorit?