Prishtinë – Behgjet Pacolli u rikthye sot si President i partisë Aleanca Kosova e Re, me shumicën absolute t
ë votave të Këshillit Drejtues – 83 pro, asnjë kundër. Njoftimi u dha sonte nga Aleanca Kosova e Re, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të saj.
Në mbrëmjen e 22 shkurtit të këtij viti, menjëherë pasi u votua në raundin e tretë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për President të vendit, Behgjet Pacolli dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat partiake në krye të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarësia në këtë parti.
Por, rreth një muaj më vonë, nga fundi i marsit Behgjet Pacolli la ushtrimin e postit të Presidentit të Republikës kur Gjykata Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e tij më 22 shkurt pa kundërkandidat dhe pa praninë e së paku dy të tretave të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga e cila ishte larguar opozita.
Aktualisht, lideri i sërishëm dhe themeluesi i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është zv/kryeministër i parë i qeverisë së Kosovës, i emëruar nga kryeministri Hashim Thaçi.
Monday, 03 October 2011 19:45