Strasburg – Në paradarkën e dhjetëvjetorit të pranimit të Bosnjë e Hercegovinës në Këshillin e Evropës, që do të shënohet në prill të këtij viti, Asamblea e Përgjithshme e Këshillit të Evropës (APKE) u bëri thirrje autoriteteve boshnjake dhe aktorëve kryesor politik të vendit që t’i japin fund obstruksioneve dhe të punojnë në mënyrë konstruktive në formimin e institucioneve shtetërore.
“Koha është që të kalohet nga etnokracia në demokraci”, deklaroi parlamentarja norvegjeze, Karin Voldset, e cila së bashku me kryetarin e APKE-së, francezin Zhan-Klod Minjon ishin raportues për BeH-në.
Në rezolutën që u pranua në seancën e mbrëmshme plenare, APKE-ja shprehi “keqardhje për shkak të asaj që pas një viti të zgjedhjeve, në BeH ende nuk është formuar qeveri e re”.
Në dokument theksohet se edhe krahas situatës së rëndë ekonomike dhe financiare të vendit, liderët e gjashtë partive udhëheqëse në BeH “vazhduan të tregtojnë rreth ndarjeve etnike të vendeve ministrore deri më 28 dhjetor të vitit 2011”, kur u arrit marrëveshje për kandidatin për kryeministër të shtetit.
APKE konsideron se është e nevojshme që urgjentisht të përfundohet procesi i formimit të qeverisë së re me qëllim që të kthehet vendi në rrugën e vërtetë.
“Që të bëhet moderne demokracia, vendi duhet të zbatojë reformë kushtetuese globale dhe të fillojë ta zbatojë aktvendimin e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut prej vitit 2009 për lëndën “Sejdiç dhe Finçi”, konsideron APKE.
Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut vlerësoi se Kushtetuta e BeH-së e shkeli Konventën evropiane për të drejta të njeriut, pasi pjesëtarëve të bashkësive të vogla etnike, në rastin “Sejdiç dhe Finçi” – rom dhe hebraik, ju pamundësua kandidimi në zgjedhjet për anëtarë të Presidencës së BeH-së, e cila përbëhet prej tre anëtarëve – boshnjak, serb dhe kroat.
Ky vendim është “i obliguar ligjërisht” thuhet në rezolutën e APKE-së. “Nëse nuk zbatohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese në afat të arsyeshëm, para zgjedhjeve të ardhshme në vitin 2014, Bosnja e Hercegovina ka mundësi ta humbasë statusin anëtar në Këshillin e Evropës”, paralajmëroi APKE-ja në rezolutën e miratuar.
APKE lajmëroi se do ta ndjekë situatën në Bosnjë e Hercegovinë nga afër duke paralajmëruar se për këtë do të debatojë edhe në sesionin e fundit të prillit.
Wednesday, 25 January 2012 09:31