Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 19:37

Prishtinë – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga Qeveria e Bosnjë e Hercegovinës për vendimin e përbashkët të Këshillit Ministror dhe Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës të pranojë vulat doganore të Kosovës.

Ministria kosovare bëri të ditur sot se qeveria e Bosnjë e Hercegovinës shpreh besimin që përmes këtij vendimi janë përmbushur të gjitha kushtet për shfuqizimin e “Vendimit mbi parimet e reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare”, të miratuara nga administrata e Kosovës, ne lidhje me mallrat me origjinë nga Bosnja e Hercegovina.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndërmarrë shumë shpejt hapat e ardhshëm në përgjigje të këtij vendimi dhe gjithmonë në përputhje me regjimin e rregullt tregtar të vendosur me marrëveshjen e CEFTA-s.

Qeveria e Republikës së Kosovës kishte marrë vendimin për vendosjen e reciprocitetit në marrëdhënie tregtare me shtetet anëtare të CEFTA-s, me datën 20 korrik 2011, i cili bëri që mallrat që importoheshin nga Bosnjë e Hercegovina të taksoheshin 10 për qind.