Lajme Shqip Wednesday, 06 June 2012 11:53

Beograd – Brukseli i ka vënë kushte të parealizueshme Serbisë për vazhdim të procesit të integrimeve europiane. Agjencia serbe e lajmeve FoNet citon shkrimin e gazetës “Novi magazin”, e cila pohon se për Serbinë do të jetë kusht hapja e Zyrës  së Kosovës në Beograd.

Hapja e Zyrës do të thoshte praktikisht hapja e ambasadës e cila vetëm do të kishte emër tjetër, zyre, por për autoritetet vendore kjo është e papranueshme.

Nga Serbia po ashtu kërkohet të hapë përfaqësinë në Prishtinë, e cila krahas zyrës së Kosovës në Beograd, do të thoshte vendosje e marrëdhënieve diplomatike.

Krahas këtyre kushteve, mbesin edhe ato të vjetrat për të vazhduar eurointegrimin, si zbatimi i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut midis Beogradit e Prishtinës, shuarja e institucioneve paralele.

Gazeta “Novi magazin”  thekson domosdonë e lëvizjes së papenguar të EULEX-it e të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës si dhe hapjen e zyrës së misionit të Bashkimit Europian në veri. (LajmeShqip.com)