Lajme Shqip Lajme Shqip Saturday, 15 October 2011 12:11

Prishtinë – Bashkimi Evropian ka kërkuar nga udhëheqësit kosovarë që të përgatisin një ofertë të re për t’i fituar zemrat e serbëve të veriut, ka thënë një zyrtar i lartë i Brukselit, shkruan sot e pёrdtishmja kosovare Koha Ditore.

Sipas këtij zyrtari, i cili ka folur për gazetën në kushtin e anonimitetit, Plani i Ahtisarit nuk po pranohet për serbët, dhe institucionet e Kosovës duhet të bëjnë një ofertë tjetër për ta, një ofertë të pranueshme.

Duke komentuar kërkesën e Komisionit Evropian në Raportin e Progresist, për një “Agjendë gjithëpërfshirëse”, ky zyrtar ka thënë se zbatimi i Pakos së Ahtisarit në veri ka dështuar dhe si rrjedhojë kërkohet një plan i ri.

Ndërkohë, ambasadorët e tri shteteve të fuqishme të BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, kanë mohuar të mërkurën se po kërkohet ndonjë dialog politik, por ambasadori gjerman dhe ai francez kanë thënë se çështja e veriut duhet të adresohet.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reiçel, ka thënë se termi që përdoret në Raportin e Progresit nuk kërkon ndonjë dialog politik, por veriu duhet të adresohet. Ky adresim, sipas ambasadorit gjerman, duhet të nisë nga zbatimi i kërkesave të shtruara nga kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës në Serbi.

“Unë jam i bindur se situata në veri kërkon diskutime. Ajo situatë nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme me mjete policore. Një shembull i diskutimeve të tilla ishin bisedimet e kancelares Merkel në Beograd, ku ka kërkuar shuarjen e strukturave paralele dhe mundësinë që EULEX-i pa pengesa ta bëjë punën e vet në veri”, ka thënë ambasadori gjerman.

Ambasadori gjerman ka thënë se ndërtimi i besimit me aktorët lokalë është treguar i suksesshëm në të kaluarën, shkruan e pёrditshmja kosovare.