Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 15:58

Tetovë – Mund të jeni të dëshpëruar se nuk ka “tri kisha” në Sheshin e Shkupit, siç u shpreh  nënkryetari i  juaj, por ne nuk mund të merremi me gjendjen e juaj emocionale, thuhet në reagimin e BDI-së ndaj akuzave të PDSH-së se partia shqiptare në pushtet manipulon opinionin shqiptar.

“Ne merremi vetëm me gjendjen faktike. E kjo është: Enciklopedia u tërhoq nga përdorimi për shkak të pjesëve kontestuese për popullin shqiptar, dhe kjo pas reagimit të mediave, shoqërisë civile dhe BDI-së si partner i koalicionit. Ky është fakt. Ndërtimi i objektit fetar në Kalanë e Shkupit u ndërpre, madje  edhe ju e dini mirë se si u bë kjo, pasi ju ishit në vendngjarje një apo dy ditë pasi u ndërpre ndërtimi. Në Kalanë e Shkupit mund të ketë objekte muze, por jo dhe vetëm një objekt fetar. Ndërsa objekte fetare në Kalanë e Shkupit do të këtë vetëm nëse ka më tepër objekte, të cilat do t’i përfaqësojnë religjionet e ndryshme në Maqedoni,  tjetër mënyrë nuk ka”, thuhet në reagimin.

Lidhur me projektin “Shkupi 2014”, BDI-ja njofton se këtë projekt e ka trashëguar nga pushtetii mëparshëm.

“Lidhur me projektin ‘Shkupi 2014’, mund të jeni të mërzitur se ky projekt i juaji, të cilin e trashëguam, nuk ka më  vetëm objekte të cilat përfaqësojnë eksluzivisht etnitetin maqedonas, ashtu siç planifikuat ju në atë kohë, me nënshkrimin e Arifikmet Xhemailit, i cili qëndron pas liderit tuaj në çdo takim. E dimë se  nuk ju pëlqen, por shumë shpejt në Sheshin e Shkupit , me krenari do të arrijnë Nexhat Agolli, Josif Bageri dhe Pjetër Bogdani, si dhe disa monumente tjera të cilat do të preznatojnë historinë dhe kulturën shqiptare në këto troje. Këto janë faktet, këto janë të vërtetat, ju pëlqen apo jo kjo juve”, reagon BDi-ja ndaj akuzave të PDSH-së.

Paraprakisht, PDSH-ja, përmes një konference për shtyp ka vazhduar me akuzat e saj në adresë të Bashkimit Demokratik për Integrim. PDSH-ja ka akuzuar BDI-në se po vazhdon me manipulime për të arsyetuar dështimet e veta.