Shkup – Parlamenti i Maqedonisë sot shqyrton propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për përdorim të gjuhës që e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve në vend dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale si dhe propozim-ligji për ndryshim të Ligjit për përdorim të flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë.
Kjo me procedurë të shkurtuar është parashtruar të martën nga deputetët e BDI-së. Deputeti, funksionari i zgjedhur ose i emëruar nga Parlamenti i Maqedonisë, i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, ndërsa të cilin e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, në seancë të Parlamentit dhe në seancë të trupit punues, mund të flasë në atë gjuhë. Në vetëqeverisjet lokale ku më shumë se 50 për qind e popullatës janë pjesëtarë të bashkësisë, flamuri i saj do të mund të theksohet së bashku me atë shtetëror në objektet me karakter publik dhe lokal.
Vetëqeverisja lokale do të vendosë se kur do të përdoret flamuri i bashkësisë në jetën publike dhe zyrtare, parashikojnë ndryshimet e Ligjit për përdorim të flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë.
Edhe ky Propozim-ligj është parashtruar nga ana e deputetëve të BDI-së dhe do të shqyrtohet me procedurë të shkurtuar. Parashihet, gjithashtu, që flamuri shtetëror të jetë më i madh për një të tretën nga flamujt tjerë. Flamuri i bashkësisë do të theksohet gjatë ardhjes zyrtare të një përfaqësuesi të lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në ditë të mbajtjes së manifestimeve me karakter lokal dhe ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 July 2011 14:44