Më 9 dhjetor Bashkimi Evropian pritet të marrë vendime shumë të rëndësishme, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. E ndërsa pritet që kësaj të fundit, BE ti japë statusin e vendit kandidat, me Kosovën, ndërkaq, Komisioni Evropian pritet të fillojë negociatat zyrtare për procesin e liberalizimit të vizave.
Kështu kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare të “Zërit”, sipas të cilave BE-ja do të shpërblejë këto dy shtete, duke stimuluar në një anë Serbinë për të vazhduar dialogun me Kosovën, e në anën tjetër për të shpërblyer Kosovën për rolin e saj konstruktiv që ka pasur gjatë bisedimeve. “BE do t’i shpërblejë të dyja vendet. Nuk do të ishte në rregull që njëra palë të shpërblehej, e tjetra të ndëshkohej. Më 9 dhjetor pritet që të merren këto dy vendime nga ana e Këshillit të Ministrave dhe nga ana e Komisionit Evropian”, tha ky burim ndërkombëtar për të përditshmen “Zëri”. Mundësinë e fillimit të negociatave me BE-në për procesin e liberalizimit të vizave nuk e kanë mohuar as zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
“Po, mund të ndodhë që pikërisht më 9 dhjetor të hapet zyrtarisht dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën, meqë me këtë datë Këshilli i Ministrave të BE-së do t’i diskutojë të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian”, ka deklaruar një ditë më parë Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane. Ajo shtoi se rekomandimet e KE-së, përkatësisht të komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, të bëra më 12 tetor, do të diskutohen me këtë datë. Madje pikërisht për këtë arsye, ministrja Çitaku do të udhëtojë drejt Brukselit.
Sunday, 27 November 2011 15:09