Lajme Shqip Thursday, 06 August 2015 10:41

Bashkëshortja e ministrit të Kulturës është ndër zyrtaret e para të institucioneve të kësaj Ministrie, së cilës i është legalizuar vendi i punës prejse Kujtim Shala u emërua në krye të MKRS-së.

Lindita Morina-Shala, pos kësaj, veçohet edhe në bazë të të ardhurave mujore në raport me zyrtarët që mbajnë të njëjtën pozitë me të. Morina-Shala nga Marrëveshja për shërbime të veçanta e 2008-s ka lidhur kontratë të rregullt pune apo është aktemëruar si zyrtare për financa e Baletit Kombëtar të Kosovës në maj të këtij viti.

Me këtë rast asaj i është ngritur edhe paga për një koeficient. Në krahasim me zyrtarin për financa të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Morina – Shalës, tash e tre muaj, i është rritur paga për 58 euro. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës dhe vetë ministrit Shala, nuk bëhet fjalë për shkelje e as privilegj, pavarësisht se punonjësit që kryejnë të njëjtën punë marrin pagë më të vogël, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas përgjigjeve të MKRS-së procesi i ndërrimit të kontratave të punës dhe shndërrimi i tyre në aktemërime është i bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, dhe ka filluar si një proces për respektimin e legjislacionit dhe të drejtave të të punësuarve në MKRS dhe institucionet vartëse të saj.

«Ata për të cilët është paraqitur kërkesë dhe i kanë plotësuar kushtet janë pajisur me aktemërime», shkruan në përgjigje të dhëna përmes e-mailit. Sipas zyrtarëve ministrorë, në nivel të Ministrisë dhe të të gjitha institucioneve, janë gjithsej 92 punonjës me Marrëveshje për shërbime të veçanta. E sa i përket diferencimit në pagë, sipas administratës së MKRS-së, bëhet fjalë për performancë në punë./dialogplus.ch/