Lajme Shqip Wednesday, 30 September 2015 09:43

Ish këshilltari i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, duket se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimi tashmë publik, për t’u liruar nga përgjegjësia që kishte si këshilltar i lartë i Atifete Jahjagës, por edhe si zëdhënës.

Bashkë me dorëheqjen e tij, siç raporton Magazina.al, Vllahiu ka dorëzuar pasaportën zyrtare dhe ka kërkuar që e njëjta t’i dërgohet Ministrisë Jashtme, edhe pse në të kishte vizën valide të SHBA-ve.

Në këtë dokument të siguruar nga Magazina.al, shihet qartë dëshmia e dorëzimit të pasaportës nga Vllahiu dhe pranimi i tij nga Artan Krasniqi, i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Duke mos dashur të udhëtojë me delegacionin e Presidentes, në asnjë vizitë jashtë shteti, Vllahiu ka bërë kërkesë qysh në qershor të mos shkojë as në New York, ku aktualisht po qëndron Jahjaga me një pjesë të stafit të saj.

Magazina.al merr vesh se vizita në Tiranë e Jahjagës gjatë fillimit të shtatorit, ka qenë momenti kur Vllahiu ka marr vendim që të mos jetë më në udhëtime zyrtare si pjesë e delegacionit presidencial.

Ndryshe dorëheqja e Vllahiut, siç edhe ka raportuar Magazina.al, ka të bëjë me dallimet e thella konceptuale për rolin e presidentes qoftë në skenën e brendshme, qoftë në atë të jashtmen.

Këtu përfshihen dallimet e thella edhe në paraqitjen e Jahjagës në opinion publik, ku përfshihen fjalimet, intervistat dhe përzgjedhja e mediave.